Rama: Thirrjet e PD-së për revolucion, stuhi në një gotë rakie
“Stuhi në gotë rakije” i quan kryeministri Edi Rama thirrjet e opozitës për revolucion dhe largim të qeverisë, një ditë pasi PD njoftoi se të enjten e 17 dhjetorit do të jetë protesta tjetër, pas asaj të 8 dhjetorit ku u dogj dhe bunkeri pranë ministrisë së Brendshme.
Nga Saranda ku u ndal për turin e PS-së “Të pastrojmë më tej Shqipërinë” Rama tha se sot Shqipëria nuk ka opozitë por është një përpjekje për të kthyer të shkuarën e nxitur dhe e amalgamuar nga tmerri i humbjes së privilegjeve. Për kryetarin e PS-së PD do kthehet në realitet ditën kur do të ndahet nga Sali Berisha të cilën ai e quan “kufomë që e mban peng”
Edi Rama: Sot kemi arritur në pikën që thonë na e kopjuat mandatin prandaj nuk na ka mbetur gjë tjetër veçse të bëjmë revolucion. Na i morët të gjitha s’kemi program, prandaj ne po marrim gurët, shishet e benzinës, ato shufrat e hekurit dhe po turremi çfarë të na dalë përpara. Kjo është tragjike për një vend që sot ka mbetur pa opozitë, s’ka opozitë. Kjo nuk është opozitë, është një përpjekje për të kthyer të shkuarën. Përpjekje e nxitur dhe e amalgamuar nga tmerri i humbjes së privilegjeve. Thanë një shprehje të bukur:Humbëm si popull mirëqënien e dy viteve më parë. E dëgjuat ky popull ishte i mirëqene dhe sot duhet të marrin shishet e benzinës e ti verë flakët çdo gjëje që i del përpara se i humbi mirëqenien. Mirëqënien e tyre e konsiderojnë mirëqënien e popullit. Duke parë që po e humbin vet identifikohen me popullin sikur e humbi populli.
PD do kthehet në realitet vetëm pasi në një ditë të caktuar të kësaj arratisje të gjatë do të jetë ndarë me kufomën që e mban peng. Por nuk është PD problemi yne. Problemi ynë janë reformat. Problemi ynë është pengesa e madhe që vjen jo nga PD dhe nga opozita që nuk është gjëkundi dhe as nga shishet me benzinë dhe thirrjet për revolucion, se janë të gjitha një stuhi në një gotë rakie, po nga mendësia, kultura, shkalla e madhe e braktisjes psikologjike qe eshte imponuar në këtë vend të konceptit të shtetit.
Dhe flasin këta na thonë: Na kopjuan. Po të kopjonim këta ne, Shqipëria do të ishte e gjitha nën ujë dhe do t’i bënim mbledhjet me rrobabanjo”
Rama: Jemi në moment kyç të mandatit, na duhet një PS e fortë jo vetëm numerikisht
Edi Rama: 80 për qind e qytetarëve pro reformës në Energji
Sa i takon sektorit të Energjisë Rama u shpreh se PD-ja shpërndante drita për qëllime elektorale, ndërsa theksoi se sipas sondazheve rezulton se 80 për qind e qytetarëve kanë mbështetur reformën në energji që ndërmori qeveria.
Edi Rama: “Nuk është e rastit që reforma në energji, një reformë e dhimbshme e cila u shty e vonua nga të gjithë përpara nesh u ndesh në atë agresivitet por u mbështet nga 80 për qind e qytetarëve ne çdo anketë, në çdo pyetësor, në çdo komunikim, sepse shqiptarët janë gjithçka, por nuk janë kurrë një tufë delesh që mund t’i gënjesh e t’i çosh pas berihajit , dhe t’i trajtosh si budallenj e një tufë delesh. Ky është një gabim fatal”.
Edi Rama: PS duhet të komunikojë vazhdimisht me qytetarët
Një vend të rëndësishëm në fjalën e mbajtur nga kryeministri zuri edhe Partia Socialiste dhe rëndësia e rritjes së saj, si dhe komunikimi i vazhdueshëm që duhet ruajtur me qytetarët.
Edi Rama: “Rëndësi të madhe ka ky proces sepse na duhet një PS edhe më e fortë dhe jo vetëm numerikisht….nuk është thjesht tek numri por te përbërja, tek struktura sociale, tek fuqia reflektuese e shoqërisë qe duhet të ketë PS-ja. Do të thotë që organizatat socialiste nuk duhet të jene familjare, organizata të një fisi, organizata të një pallati, organizata të bëra me 3 veta qe e mbajnë peng prej vitesh e vitesh të tëra atë strukturë që është struktura bazë e komunikimit dhe e ndërveprimit të PS-së me komunitetin në një qendër votimi.
Ne kemi nevojë për një PS që të komunikojë në mënyrë të vazhdueshme me të tjerët rreth e rrotull. Nuk do bëhet gjithë populli parti, por na duhet partia për të pasur një komunikimi të vazhdueshëm me popullin dhe për t’i dhënë mundësinë popullit që të shohë veten në pasqyrën e krijuar nga një parti që flet për gjërat që i shqetësojnë njerëzi, që nuk mendon se si ta zgjasë jetën në pushtet duke ia futur pas shpine thikën popullit të vet. Siç kanë bërë qeveritë e mëparshme dhe që e ktheu në model të tradhtisë ndaj popullit, 8 vjet me radhë pararendi në detyre…” .
Edi Rama: U bathorizua bregdeti Jon, plehrat meritë e Saliut
Së fundmi Rama u ndal tek rëndësia e rilindjes urbane, si një ndarje nga modeli i PD-së, të cilin e konsideroi si modelin e bathorizmit të bregdetit.
Edi Rama: “E vetmja gjë që sollën përtej Llogarasë ishte bathorja. Bathorizmi edhe i parajsës shqiptare të bregut Jon. Ndërto ku të mundesh se ndërtimi është bereqet. Prit, sharro, ulli, sharro portokalle, ndërto mbi kanale vaditëse, ndërto mbi ujësjellsja, ndero mbi zhavorr, mbi breg se nga kjo vjen e mira e madhe….
Edi Rama: “Plehrat, këtë duhet tua njohim si meritë! Me rënien e komunizmit plehrat fituan të drejtën të jenë kudo. Dhe plehrat i gjen kudo falë Saliut….Sot kemi jo bregdetin Jon që duam, se vetëm duhet të ishim magjistar që ta kishim sot për dy vjet para syve, por në çdo pikë kemi vënë dorë dhe po punojmë ditë-natë që të ndryshojmë këtë situatë skandaloze, prej pas-lufte, që trashëguam në bregdetin Jon. Projektet e rilindjes urbane kane nisur dhe aktualisht Qeparoi është në transformim, Himara ka filluar me kantierin e madh të Lungomares dhe me disa projekte te tjera. Po punohet për projektin e rilindjes urbane të Dhërmiut, Vunoit…dhe transformimin urban të plazheve në Dhërmi dhe në Jalë….”
Kreu i qeverisë theksoi se me reformat e ndërmarra sot po përcaktohet se si do të jetë Shqipëria pas 10-15 vjetësh dhe jo si do të jetë pas 2 vjetësh, duke hedhur bazat e një shteti që kërkon ende kohë për t’u bërë shtet.