Rama tregon historinë e emigrantit të kthyer në Voskopojë pas 30 vjetësh në Greqi

Fshati turistik i Voskopojës në Korçë vijon të mbetet një nga destinacionet më tërheqëse për turistët vendas e të huaj ndërsa po shtohen kapacitetet pritëse për t’iu përgjigjur fluksit. Kryeministri Edi Rama ka ndarë me ndjekësit në rrjete sociale, dëshminë e Panajot Falos, administrator i bujtinës “George” në Voskopojë.
”Nga Voskopoja në Greqi e pas 30 vitesh sërish në Voskopojë, aty ku fshati i magjishëm i kambanoreve, që u zhvesh nga feja gjatë komunizmit dhe u shfytyrua gjatë tranzicionit, ka rilindur e hijeshohet dita-ditës, teksa rrugicave të tij bubërrojnë turistët e dëgjohen gjithëfarë gjuhësh të huaja”, shkruan Rama.
Panajot Falo kujtoi ditën që iku nga Voskopoja kur mendoi se këmba nuk do i shkelte më aty. ”Ja që u gabova. Vendi yt shtëpia jote është shumë e shtrenjtë. Në vitet 1990-1991 fshati i Voskopojës ishte në një gjendje të vështirë. Si të gjithë të tjerët morëm rrugën e emigracionit. Bashkë me gruan shkuam në Zakynthos, punuam 30 vjet atje, lindën fëmijët, u rritën, studiuan. Puna ishte shumë e vështirë, ishim të rinj e punonim ditë e natë. Unë në ndërtim bëja vila guri, gruaja ndihmëskuzhiniere në një restorant. U rritën fëmijët dhe një ditë vendosëm të kthehemi në Voskopojë. Në 4-5 vitet e fundit Voskopoja ka pësuar një ndryshim shumë të madh. Vendimi im ishte i duhuri në një vend të duhur. Kur kam investuar në shtëpinë time çdo gjë prek e shikoj më kujton prindërit fëmijërinë, mamanë, babanë dhe ndiej kënaqësi”,-thotë Falos.
Agroturizmi po merr gjithnjë e më shumë zhvillim në zona të ndryshme turistike të vendit përmes bujtinave të ngritura. Transformimi i zonave rurale në peizazhe tërheqëse, ka nxitur krijimin e agroturizmit, si një model i ri i zhvillimit rural në Shqipëri ndërsa politikat nxitëse synojnë kthimin e emigrantëve në atdhe, për të investuar në pronat e familjes.