Rama tregon këshillën që i dha Bashës: Distancohu nga Berisha dhe Meta
Kryeministri Edi Rama ka vijuar akuzat ndaj PD, duke kujtuar fondet ruse të cilat sipas tij, ishin financime për të rrëzuar qeverinë socialiste.
Nga Lushnja, Rama pati akuza ndaj kryetarit të PD, Sali Berisha dhe kryetarit të PL, Ilir Meta, për të cilët tha se e ndjekin Shqipërinë si një “mallkim”.
Po ashtu, Rama ka kujtuar edhe këshillën që i ka dhënë ish-kryetarit të PD, Lulzim Basha që të distancohej nga Berisha dhe Meta.
“Partia Demokratike është vegël e deklaruar, ndërkohë që ajo parti ka 500 mijë dollarë, gjysmë milioni të paguar për të rrëzuar qeverinë e Partisë Socialiste. Kur doli atëherë thoshin e bën Edvini me Sorosin. Kur ambasadorja amerikane ja vuri në tavolinë non gratës financimet ruse, ai i refuzoi. Mirëpo tani na doli në raportin e CIA-a. Si i bëhet tani? Për ça arsye rusët duhet të financojnë një parti politike. Për ta bërë Shqipërinë me demokratike, për të forcuar të drejtat e njeriut këtu?
Si mund të shkosh pas një non grate, partia e të cilit, qeveria e të cilit ka bashkuar votat me Putinin në Këshillin e Evropës për të ngritur akuzën monstruoze që ushtria e Kosovës është një bandë kriminelësh që trafikon organe njerëzish dhe nga Shqipëria. Si mund ta bëj këtë një qeveri shqiptare?
Këtë e bën ai soj i ulët që e ka ndjekur Shqipërinë si mallkim, herë duke qenë në qeveri herë duke mos lënë qeveri të rrinë në këmbë që nga 1912. Është i njëjti soj. Nuk quhet Haxhi quhet Ilir, nuk quhet Qamil quhet… mos t’ia përmendim emrin fare këtij tjetrit.
Koha do ta tregojë, por zakonisht këto të miat dalin. Se kur thoja unë “O Lulzim ndahu nga këta të dy”, më thonin këta analistët “o çpunë ke ti me ata, njëri në pension, njëri në punën e vet”. Ja si është puna. Ku është Lulzimi, dini gjë? S’dini gjë. Këta të dy këtu prapë”, tha Rama.