Rama u drejtohet fasonëve: Nuk ju vijnë vajzat e TikTok-ut me 40 mijë lekë
Kryeministri Edi Rama, në një takim me sipërmarrjen për të diskutuar mbi domosdoshmërinë e rritjes së mëtejshme të pagave, deklaroi se gjendja ku ndodhen sot fasonët është për shkak se nuk kanë menduar për këtë ditë, por kanë menduar vetëm e vetëm se si të shfrytëzojnë punonjësit.
“Ta mbajmë punonjësin shqiptar si sytë e ballit, ta mbajmë me çdo çmim. Të rrofshin miliardat nëse të ikin punëtorët. Nëse sot ka një situatë dramatike industria e fasonëve është se nuk kanë menduar për këtë ditë. Ato gratë që i kanë marrë që në vitet ’90 dhe i kanë marrë shpirtin me tre turne se na i kërkon Armani dhe Versaçja, sot i ka ardhur mosha e pensionit dhe nuk kanë me kë i zëvendësojnë. Me vajzat e TikTok-ut? Do të vijnë vajzat që lozin në TikTok në Kamëz e Paskuqan e do të rrinë aty për 40 mijë lekë? Dhe ju diskutoni që nuk e paguajmë dot atë 40 mijë lekësh. I gjithë sistemi duhet ndryshuar, duhet kaluar në një cikël të mbyllur, në “Made in Albania”. “Ujku” ka nisur t’ju hajë. Ne sigurisht që do të marrim edhe punonjës të huaj, por nuk bëhet shtëpia me miell hua. Nuk jemi ne në kushtet e Gjermanisë. Nuk them të vini këtu rrogat e Gjermanisë, por ama nëse ka paga që kompensojnë bilancin e shpenzimeve dhe bëjnë që në fund të muajit t’i dalë llogaria punëtorit, këtu do i keni. Nuk kanë se çfarë bëjnë në vend të huaj”, tha Rama.