”Rama u zhduk nga frika”, Edi Paloka: PS-ja ka listë për përjashtimet në Parlament
Sot në kaosin që u bë në seancën plenare, në momentet para votimit për shkarkimin apo jo të Lindita Nikollës si kryeparlamentare u shfaq Edi Rama, edhe pse kryeministri kishte disa seanca që kishte munguar.
Edi Paloka i përjashtuar nga punimet e Kuvendit, thotë se Rama është “zhdukur” sepse ka frikë të ballafaqohet me opozitën për çështjen “McGonigal”, ndërsa shtoi se deri dje bënte “arrogantin dhe cinikun” duke fyer në Parlament.
”Heshtja është shumë e qartë. Frika është në nivele të tilla që e ka detyruar Ramën të heshtë. I detyruar dhe jam i bindur se dikush e ka sugjeruar të mos flasë, ndoshta një avokat apo këshilltar juridik. Mund të përdoret ndaj tij në gjyq çdo gjë që mund të thotë.
Ai e di që çfarë ka dalë në aktakuzë është një pjesë shumë e vogël nga ajo që ka në dosje. Flitet për lidhjet e McGonigal me elementë rusë, ndërkohë që të njëjtët rusë për të cilët akuzohet ai. Mediat e huaja nuk i lëshojnë informacionet pa i verifikuar 10 herë. Kur jepet një informacion i tillë nga mediat jashtë është nga burime të sakta dhe të sigurta. Rama nuk e di çfarë ka dosja dhe i trembet sepse kur merr kot mund ta “qelbë”,-tha në ”News 24”.
Sa i përket situatës së krijuar në Parlament, Paloka tha se maxhoranca po tenton të eliminojë fjalën e lirë dhe opozitën përmes veprimeve në Kuvend, ndërsa shtoi se ka një listë për përjashtimin e deputetëve që “prishin punë në seancë” si Berisha, Noka apo të tjerë.