Rama-Veliaj shpërndajnë pensionet e reja në Fier: “Me kurajo hoqëm tavanin e 240 mijë lekëve”

 

Kryeministri z. Edi Rama dhe Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, z. Erion Veliaj, ishin sot në Fier ku shpërndanë pensionet sipas skemës së re për disa të moshuar, e cila ka nisur të zbatohet nga 1 janari 2015 dhe ka dhënë efektet e para pozitive në xhepat e pensionistëve. Si z. Rama, ashtu edhe z. Veliaj, vunë në dukje faktin se falë reformës së pensioneve është bërë e mundur heqja e tavanit prej 240 mijë lekësh, çka mundëson pensione që arrijnë mbi 300 mijë lekë për çdo pensionist të ri.

 

Kryeministri Rama e vlerësoi si një arritje të madhe të qeverisë realizimin e reformës së pensioneve në një kohë kaq të shkurtër. “Ne, me kurajo e hoqëm tavanin e pensioneve dhe krijuam një hapësirë të paimagjinueshme 18 muaj më parë. Hapësirën, që gjithësekush të vendosë vetë për pensionin e tij, nëse do të ketë një pension më të lartë, duke kontribuuar më shumë për skemën e pensioneve”, deklaroi ai.

 

Ministri Veliaj theksoi se kjo reformë është për njerëzit e thjeshtë dhe që i nxit qytetarët të paguajnë sigurimet shoqërore sepse vetëm kështu do të kenë një pension më të lartë nesër. “Mua më vjen mirë që 39 mijë pensionistë që dalin çdo vit në pension, këtë vit do ta kenë pensionin më të lartë se ç’do ta kishin po të dilnin vjet. Vitin tjetër, këtë fat do ta kenë edhe 39 mijë apo 40 mijë të tjerë. Në fund të këtij mandati, 120 mijë vetë do të jetojnë më mirë, sepse kanë një pension më të lartë. Për mua kjo është politika, që çdo vit më shumë njerëz të kenë një jetë më të mirë”, u shpreh z. Veliaj.

 

Ai përmendi edhe faktin se 5 mijë pensionistë, gjyshe e gjyshër, këtë vit përfitojnë pensionin social, ndryshe nga një vit më parë kur ata nuk përfitonin asgjë sepse nuk i kishin plotësuar vitet minimale të sigurimit. “Vetëm kështu mund të sjellim çdo vit ndryshimin e nevojshëm për pjesën më të varfër e më të këputur të shoqërisë”, tha z. Veliaj.

 

Por, skema nuk favorizon vetëm ata që kanë patur një punë të mirë dhe për të cilën janë paguar me një pagë të lartë, por edhe ato kategori që janë paguar me paga minimale për gjatë gjithë jetës. Një nga kategoritë e tjera që përfitoi pension më të lartë sot ishin edhe minatorët, të cilët sipas skemës së re do kenë mundësi të marrin pensione dy apo trefish më të larta sesa mund të merrnin me skemën e vjetër.

 

SHKARKO APP