Rama: Vitin e ardhshëm të gjithë mësuesit në testim
"Pushteti duhet konsumuar për të bërë punët për të cilat je zgjedhur, jo për të bërë zgjedhjet e ndërmjetme, zgjedhjet e gabuara, me sa më pak kosto që të rrish sa më shumë në pushtet.
Nuk na duhet fare ne ai pushtet, hiç! Pushtet në qafë të njerëzve, duke gënjyer prindër, duke gënjyer të moshuar, duke gënjyer fëmijë dhe duke i thënë që jemi vendi që po zhvillohet më shpejt nga të gjithë dhe që një ditë kur të hapin sytë të thonë nga ramë në këtë gropë, ne nuk na intereson. Kjo është filozofia jonë!”.
Kështu u shpreh Kryeministri Edi Rama në ‘Forumin Qytetar’ që u mbajt në Korçë, ku gjithashtu ishin të pranishëm zv.Kryeministri Niko Peleshi dhe ministrja e Arsimit Lindita Nikolli.
Rama nënvizoi se ajo çka ka ndodhur këtë vit në sistemin arsimor është themelore për atë çka do të vijojë në vitet e tjera.
“Unë besoj që çka ka ndodhur këtë vit ka qenë jashtëzakonisht themelore për atë që do të vazhdojë në vitin e ardhshëm dhe do të vazhdojë në vitet e tjera. Sepse jemi kthyer për të operuar sistemin e arsimit në qelizë”, u shpreh Kryeministri.
Sipas tij, Qeveria vendosi shpërblim për mësuesit dhe nxënësit më të mirë, pasi synon të tërheqë edhe të tjerët drejt shembujve më të mirë.
“Falë mësuesish dhe drejtuesish jo vetëm të zotë, por edhe të përkushtuar, kemi, për fat të mirë, shembujt që na duhen për të tërhequr edhe të tjerët pas shembujve më të mirë.
Kjo ishte dhe arsyeja pse Qeveria e vlerësoi me një shpërblim të posaçëm për herë të parë mundin dhe rezultatet e më të mirëve, qoftë të mësuesve, qoftë të nxënësve.
Jo thjesht për të shpërblyer financiarisht këta, por për t’i dhënë një mesazh shumë të qartë të gjithëve dhe për të vënë theksin tek më të mirët”, theksoi Rama.
Kryeministri e cilësoi domosdoshmëri nxitjen, vlerësimin dhe promovimin e më të mirëve.
“Shembulli i më të mirëve për ne është absolutisht i domosdoshëm dhe nxitja, vlerësimi, promovimi i më të mirëve është absolutisht i domosdoshëm.
Sepse kemi 20 vjet në një shoqëri që drejtohet duke stimuluar në vazhdimësi lëmoshën, parazitizmin, dembelizmin, paaftësinë, prapambetjen dhe duke harruar gjithmonë se në fakt në radhë të parë duhet stimuluar shembulli më i mirë.
Shteti duhet të mbështesë shumë më tepër mësuesit më të mirë, duhet të mbështesë shumë më tepër studentët më të mirë, duhet të mbështesë shumë më tepër sipërmarrësit më të mirë, duhet të mbështesë shembujt që tërheqin shoqërinë.
Se janë këta që prodhojnë gjërat që pastaj kemi ne përgjegjësinë ti rishpërndajmë. Në këtë aspekt ne na duhet aleanca e më të mirëve”, tha Rama.
Sa i përket cilësisë së mësimdhënies, Kreu i Qeverisë vlerësoi se “investime në dije nuk janë thjesht muret e shkollave apo blerja e kompjuterëve dhe vendosja e tyre nëpër laborator, por fillojnë tek cilësia e mësimdhënies, tek cilësia e mësuesit.
Në këtë kuadër, Rama theksoi se vitin e ardhshëm do të bëhet një testim kombëtar për të gjithë mësuesit që janë në sistem.
“Do ta fillojmë janarin, ashtu siç e kemi premtuar, me zëvendësimin e të gjithë atyre që nuk duhet të rrinë më në sistem sepse janë pa diplomë, janë jashtë profilit dhe nuk i përgjigjen standardeve.
Në vend të tyre do të futen ata që u testuan. Mësuesit që janë në sistem do të testohen dhe mësuesit që janë në sistem do të dinë ekzaktësisht se çfarë duhet të bëjnë për të qëndruar në sistem”, tha ai.
Kryeministri ritheksoi se reformat e nisura do të vijojnë me seriozitet maksimal, pasi filozofia e kësaj Qeverie është që pushtetin ta konsumojë për të bërë punët për të cilat është zgjedhur.
Ministrja e Arsimit dhe Sportit tha se po kapërcehet një emergjencë kombëtare në arsim dhe renditi si tre pika të rëndësishme, të ndryshuara, miradministrimin e Maturës Shtetërore, cilësinë e mësimdhënies dhe procesin e akreditimit në arsimin e lartë.
“Kjo do të jetë rruga jonë. Ky është vullneti i qeverisë shqiptare në luftën kundër korrupsionit, por edhe për të mësuar një situatë të re që lidhet me cilësinë e mësimdhënies.
Jemi duke kapërcyer një emergjencë kombëtare në arsim. Është një lajm i mirë për të gjithë shqiptarët që ia dolëm, falë një sistemi të tillë transparence, vlerësimi real dhe merite, që të shpëtojmë 1 ndër 4 nxënës shqiptarë, që nëse nuk ishin në një klasë, të paktën në një orë mësimi nga mësues, në fakt janë qytetarë, nuk janë mësues, nga qytetarë që nuk kishin lidhje me lëndën që ata jepnin”, tha ministrja Nikolla.
Zv.Kryeministri Niko Peleshi reforma në arsim nuk është një reformë e shkëputur, por është pjesë e paketës së qeverisë për transformimin e Shqipërisë.
Në vijim të inspektimeve në qarkun e Korçës, Kryeministri Edi Rama u ndal në dy sipërmarrje të industrisë së përpunimit të mishit, të mbështetura me financime nga Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural.
Kryeministri vizitoi një fabrikë bashkëkohore të përpunimit të mishit në Bulgarec. Kjo sipërmarrje është mbështetur nga Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural dhe përmes subvencionit të përfituar janë shtuar dy makineri të reja dhe ambiente të reja, me qëllim rritjen e kapacitetit prodhues të produkteve të saj.
Fabrika “Fixpro” bën një cikël të mbyllur në treg, duke filluar nga përpunimi e deri në ambalazhim e produkteve të mishit dhe operon në të gjithë vendin, me 6 distributorë, në Sarandë, Gjirokastër, Berat, Patos, Lushnje, Vlorë.
Drejtoresha e AZHBR- së, Suela Popa vlerësoi se kjo fabrikë, e para e këtyre përmasave në vend, ka arritur jo vetëm standardet e kërkuara, por mbi të gjitha ka mundësuar edhe punësim. “Është mundësuar punësimi direkt dhe indirekt, i cili synohet të arrihet deri në 20 mijë vetë” – u shpreh ajo.
Kryeministri Rama përsëriti mbështetjen për këto skema dhe për sa i përket punësimit, u shpreh se pritshmëritë janë që në 3 vitet e ardhshme të kemi bum të punësimit real në Shqipërinë rurale.
“Ne do të vazhdojmë t’i mbështesim këto skema. Do t’i dyfishojmë vitin tjetër. Presim trefishim të përfitimit nga këto skema, qysh vitin e ardhshëm, por çka është më e rëndësishmja, presim që në tre vitet e ardhshme të kemi një bum të punësimit real.
Që do të thotë njerëz jo vetëm të punësuar, por edhe të siguruar në gjithë Shqipërinë rurale”, theksoi ai.
“ProFast” është një tjetër sipërmarrje në industrinë e përpunimit të mishit, e ngritur në Boboshticë të qarkut të Korçës. Fabrika përpunon dhe e shndërron mishin në produkt gjysmë të gatshëm për restorante të ushqimit të shpejtë.
Kryeministri siguroi sipërmarrësit se të gjitha ndërtimet që lidhen me përpunimin nuk kanë më asnjë hallkë burokratike.
“Gjithë ndërtimet që lidhen me përpunimin nuk kanë më asnjë hallkë burokratike dhe asnjë nevojë që të shkojnë të rrinë në derë të bashkive dhe komunave. Direkt me AZHBR, me miratim të Këshillit Kombëtar dhe leja në dorë. Komuna apo bashkia ka vetëm për detyrë të zbardhë lejen dhe ata marrin vetëm taksën e ndërtimit përkatës”, u shpreh Kryeministri.
Më qëllim rritjen e cilësinë së produktit “ProFast” përfitoi këtë vit një financim nga AZHBR, duke ndikuar në rritjen e kapacitetit prodhues. Aktiviteti i shoqërisë tashmë është shtrirë në të gjithë Shqipërinë dhe sot janë qindra njësi shërbimi, të cilat furnizohen drejtpërsëdrejti nga kjo kompani.
Kryeministri ka bërë apel për të gjithë sipërmarrësit, kryesisht për ata që merren me ndërtim të kthejnë sytë nga fshati për të orientuar kapitalet e tyre drejt këtyre investimeve që sjellin zhvillim rural.
“Të gjithë atyre që punojnë në fshat, ne u japim një mesazh shumë të qartë: Kush do mbështetjen e Qeverisë shqiptare e ka atë, në bazë të projekteve të sipërmarrjes që krijojnë vlerë të shtuar dhe zinxhir vlerash për mbyllje të ciklit të prodhimit, të përpunimit brenda vendit dhe për rritje të eksportit.
Përrallat e subvencioneve të shpërndara në qindra e mijëra thërrime, për njerëz që pas kaq shumë rropatje nëpër fusha janë akoma në stadin e bujkrobit, ne nuk dëgjojmë. Ne duam të mbështesim bujkun, fermerin shqiptar që të kthehet në sipërmarrës.
Prandaj të gjithë ata që kërkojnë mbështetjen tonë e kanë atë të garantuar nëse garantojnë projekte cilësore, nëse garantojnë programe zhvillimi dhe nëse garantojnë që të jenë vazhdim i këtyre shembujve që vijnë pikërisht nga Shqipëria rurale, që vijnë pikërisht nga fshati. Sa më shpejt njerëzit do të vetëdijesohen për këtë, aq më mirë për ta.
Se nga njëra anë janë fondet e Qeverisë shqiptare, por nga ana tjetër, si vend kandidat i BE-së, ne mund të përfitojmë shumë herë më tepër fonde nga BE. Por BE nuk jep para për t’i hedhur në lumenjtë e mbijetesës dhe nuk i shpërndajnë paratë e veta për lëmosha, që nuk nxjerrin askënd nga varfëria, por vetëm e kthejnë varfërinë në një status social siç ka ndodhur për 20 vjet në fshatin shqiptar.
Unë dua t’i bëj thirrje edhe sipërmarrësve në qytet, atyre që kanë akumuluar kapital kryesisht në industrinë e ndërtimit, që të kthejnë sytë nga fshati dhe të fillojnë të investojnë për zhvillimin e qëndrueshëm dhe rritjen ekonomike të qëndrueshme, por edhe rritjen e qëndrueshme të kapitaleve të tyre. Ka disa shembuj, por ne duam që të kemi edhe më shumë”, u shpreh Kryeministri.