Rama: Vizita në SHBA e sukseshme

Në mbledhjen e grupit parlamentar të PS, kryesocialisti Edi Rama bëri publike detajet e vizitës së tij në SHBA. Kryeministri e cilësoi vizitën e tij në Shtëpinë e Bardhë si një nder dhe vlerësim të jashtëzakonshëm, që sipas tij, i takon qeverisë, aleancës dhe padyshim grupit parlamentar të PS-së.

“Nuk ndodh çdo vit e as çdo katër vjet që kryeministri i Shqipërisë të pritet në Shtëpinë e Bardhë. Kjo në fakt është hera e parë që ndodh. Dokumenti i partneritetit strategjik me SHBA ka çelur një fazë të re në marrëdhënien tonë. Takimi në Shtëpinë e Bardhë ka konfirmuar besimin  e partnereve tanë tek përkushtimi ynë”- deklaroi Rama.

Sipas kryeministrit, “25 vjet janë shumë pak në historinë e një vendi, apo të marrëdhënieve mes dy vendeve. Por këto 25 vjet marrëdhënie diplomatike mes Shqipërisë dhe SHBA, janë të rëndësishme. Nëse sot shqiptarët janë më mirë se asnjëherë më parë kjo pasdiskutim lidhet në radhë të parë me këtë marrëdhënie. Në javët e ardhshme një ekip i nivelit të lartë të USAID-it do të vizitojë Shqipërinë. Për herë të parë Shqipëria do të ketë grupin e vet të miqësisë edhe në Senatin Amerikan.”

Swiss Digital Desktop Reklama

Fjala e Kryeministrit, njëkohësisht Kryetarit të Partisë Socialiste të Shqipërisë Edi Rama, në mbledhjen e grupit Parlamentar:

Swiss Digital Mobile Reklama

Të dashur kolegë! Dëshiroj të ndaj me ju sot ndjesinë shumë pozitive të vizitës në SHBA dhe suksesin e një vizite kaq të rëndësishme, i cili është një sukses i përbashkët në një moment të rëndësishëm të përpjekjes tonë të madhe reformiste.

Ndaj dua ta falenderoj posaçërisht grupin parlamentar, sepse është ky grup është baza e çdo arritjeje në rrugën e reformave dhe garancia e përmbushjes pikë për pikë e axhendës sonë ambicioze për reformat.

Nuk ndodh as çdo vit dhe as çdo katër vjet që Kryeministri i Shqipërisë të pritet në takim nga Presidenti dhe Zëvendëspresidenti i SHBA-ve në Shtëpinë e Bardhë. Kjo është hera e parë në fakt që ndodh dhe është një nder dhe një vlerësim i jashtëzakonshëm, i cili nuk më takon vetëm mua, por i takon qeverisë sonë të “Aleancës për Shqipërinë Europiane” dhe padiskutim këtij grupi parlamentar.

Nuk ka asnjë dyshim se sot marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe SHBA-ve janë më të forta se asnjëherë më parë.

Dokumenti i partneritet strategjik që ne firmosëm vitin e shkuar me SHBA-të ka çelur një fazë të re në marrëdhënien tonë. Takimi në Shtëpinë e Bardhë, fundjavën që shkoi ka konfirmuar besimin e plotë të partnerëve tanë më të mëdhenj strategjikë, tek angazhimi dhe serioziteti ynë në këtë marrëdhënie, jo vetëm me fjalë, as vetëm duke qëndruar në krah të SHBA-ve në çdo mision për paqen ku kërkohet kontributi ynë, por dhe duke e bërë përditë Shqipërinë një shembull të spikatur të përpjekjes për të çelur një kapitull të ri paqeje dhe bashkëpunimi në Ballkan, si dhe duke e udhëhequr vendin tonë në drejtimin e duhur, në rrugën e reformave që bëjnë shtet.

25 vjet janë shumë pak në historinë e një vendi, apo të marrëdhënieve mes dy vendeve. Por, këto 25 vjet marrëdhënie diplomatike mes Shqipërisë dhe SHBA janë të mjaftueshme për të vlerësuar rëndësinë e tyre jetike për interesat e shqiptarëve, si dhe vlerën e tyre të çmuar për interesat strategjike të SHBA-ve në rajonin tonë. Nëse sot shqiptarët janë më mirë se asnjëherë më parë, kjo padiskutim lidhet në radhë të parë me këtë marrëdhënie. Nëse sot Shqipëria është në NATO, Kosova është e pavarur dhe shqiptarët në tërësi janë më të respektuar në liritë dhe të drejtat e tyre se kurrë ndonjëherë, marrëdhënia e ngushtë me SHBA-të është çelësi më i madh i shpjegimit të këtij përparimi historik të interesave të shqiptarëve.

 

Vizita në SHBA na e ka dhënë të plotë ndjesinë e respektit reciprok në marrëdhënien e vendit tonë të vogël me partnerin tonë të madh. Në selinë e USAID-it na u rezervua një takim jo thjesht miqësor, por edhe i përgatitur deri në detaje nga pala amerikane.

Administratorja e Përgjithshme dhe anëtare e kabinetit të Presidentit Obama ka shprehur vlerësimet më pozitive për projektpropozimet tona për bashkëpunim kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe korrupsionit. Në javët e ardhshme një ekip i nivelit të lartë të USAID-t do të vizitojë Shqipërinë, për të diskutuar në detaje lidhur me bashkëpunimin e mëtejshëm në këto dy drejtime.

Për herë të parë, Shqipëria do të ketë grupin e saj të miqësisë edhe në Senatin Amerikan. Senatori demokrat Peters dhe senatori republikan Kirk janë nismëtarët e këtij grupi me shumë rëndësi për interesat e shqiptarëve dhe të Shqipërisë në Washington.

Nuk e kemi falenderuar dot drejtpërdrejt mikun e veçantë të shqiptarëve kongresmenin Eliot Engel, bashkëkryetarin e grupit të miqësisë në Kongresin amerikan, i cili atë ditë ishte i angazhuar në fushatën e New York-t, por kemi mundur t’i përcjellim përmes ekipit të tij, shprehjen e mirënjohjes për organizmin e shkëlqyer në një prej sallave të Kongresit Amerikan të një pritjeje mbresëlënëse të delegacionit tonë. Aty na është dhënë mundësia të takojmë plot bashkëkombës, por dhe disa prej ambasadorëve amerikanë që kanë shërbyer në Shqipëri, si dhe disa senatorë, kongresmenë dhe përfaqësues të vendeve të tjera në Washington.

Me shumë kënaqësi ju përcjell të gjithëve të falat dhe përshëndetjet shumë miqësore të ambasadorëve Withers dhe Arvizu.

Moment i rëndësishëm ka qënë takimi në zyrën e Drejtorit të FBI-së, me të cilin kemi ritheksuar dobinë e bashkëpunimit të nisur dhe jemi dakordësuar për domosdoshmërinë e thellimit të këtij bashkëpunimi të nisur. E kemi kërkuar këtë bashkëpunim qysh në krye të herës dhe marrëveshja e nënshkruar së fundmi mes qeverisë shqiptare dhe FBI-së, ndërmjet Drejtorit Comey dhe ministrit Tahiri, shënon një hap shumë të rëndësishëm në rrugën e bashkëpunimit, si dhe materializon shprehjen e besimit dhe konsideratës për Policinë e rimëkëmbur të Shtetit.

Por sigurisht, momenti më i rëndësishëm i vizitës sonë të pazakonshme, këtë herë në Washington, në Shtëpinë e Bardhë, ishte bashkëbisedimi me Presidentin, Zëvendëspresidentin dhe autoritetet e larta që i shoqëronin.

 

Ishte një takim që i kalojë pritshmëritë tona, jo vetëm sepse zgjati më shumë se sa ishte parashikuar apo sepse Presidenti kapërceu protokollin, duke hapur dyert e Zyrës Ovale, por sepse dëgjuam prej tij vlerësime shumë pozitive për Shqipërinë, si kontributore e vendosur në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, për lidershimipin që kemi treguar në procesin historik të çeljes së një epoke të re të bashkëpunimit në Ballkan, si dhe për rrugën tonë të reformave, këtu në Shqipëri.

Kyçe është vlerësuar reforma në drejtësi, padyshim, edhe nga Shtëpia e Bardhë. Perceptimi ynë i qartë është se kjo reformë përveç të tjerash përbën në sytë e partnerit tonë strategjik edhe një test, të të gjitha palëve, mbi seriozitetin në marrëdhëniet me SHBA, sepse e thënë qartë SHBA si mbështetëse të fuqishme të popullit shqiptar, duan që aspirata e shprehur pa asnjë ekuivok nga populli ynë për një reformë të thellë të drejtësisë të korruptuar shqiptare të mos pengohet nga askush dhe për asnjë arsye.

SHBA janë një avokat i fuqishëm në mbështetje të integrimit europian të Shqipërisë. Duke qënë se reforma në drejtësi është praktikisht pengesa e fundit për hapjen e negociatave për anëtarësim në BE, partneri ynë strategjik pret me të drejtë që asnjë palë përfaqësuese e popullit shqiptar në parlament të mos e pengojë heqjen e kësaj pengese të fundit.

Shtëpia e Bardhë e konsideron qeverinë shqiptare një partner të besueshëm dhe të aftë për të përballuar të gjitha sfidat e përbashkëta, që nga terrorizmi dhe ekstremizmi tek krimi dhe korrupsioni.

E fundit, por absolutisht jo për nga rëndësia, është mbresa nga takimi me diasporën tonë në New York, ku jemi mikëpritur fillimisht prej kryetarit të Bashkisë, i cili fillimisht na ka shprehur konsiderata të larta për reformat që po bëjmë në Shqipëri, si dhe për rolin e respektuar që po luajmë në rajon.

Takimi me diasporën në New York ishte vendi i duhur për të lançuar nismën e qeverisë për Samitin e parë të diasporës shqiptare, që do të mbahet në Tiranë në nëntor dhe do të mbledhë shqiptarët nga 50 vende të botës. Por, natyrisht, diaspora e shqiptarëve të Amerikës – është zemra edhe për arsye historike edhe për arsye të kontributeve të drejtpërdrejta lidhur me çështjen shqiptare, s’ka se si të jetë ndryshe, – do të jetë edhe qendra e këtij samiti.

Nisma është mirëpritur me entuziazëm dhe besoj që edhe me ndihmën tuaj, të çdo deputeti, do të arrijmë të çelim një faqe në komunikimin dhe ndërveprimin e Shqipërisë me shqiptarët jashtë atdheut, pa dallim bindjesh, pa dallim krahinash dhe madje pa dalim kufijsh.

Nuk e shpreh dot keqardhjen time për disa reagime të pakuptimta për deformime lidhur me këtë vizitë, këtu në vendin tonë. Pavarësisht se ftesa në Shtëpinë e Bardhë ishte edhe një vlerësim për ne, për punën e bërë deri këtu, gjatë këtij mandati të vështirë reformash rimëkëmbjeje, për lidershipin tonë në rajon, dhe kontributet e vazhdueshme në të gjitha frontet e bashkëpunimit me SHBA, ajo ishte mbi të gjitha besoj unë, një vlerësim për Shqipërinë dhe për popullin shqiptarë në 25 vjetorin e kësaj marrëdhënie shumë speciale. Prandaj s’kishte asnjë arsye për ta përzierë edhe Amerikën në gjellën e përditshme të kundërshtive kudo, kurdoherë dhe për çdo gjë ndaj qeverisë.

Në mbyllje dua të nënvizoj, se unë e shoh suksesin e kësaj vizite të posaçme në SHBA si një arsye të fortë më shumë për të vazhduar vendosmërisht përpara në rrugën e vështirë, por pa kthim dhe as ndalim të reformave që po rilindin Shqipërinë. Edhe më shpejtë edhe me më shumë bindje, vendosmëri dhe energji pozitive”.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A e liron Gjykata Kushtetuese nga burgu, Erion Veliajn?