Rama vizitë në market për çmimet, Tabaku: S’ka nevojë qytetari për lëmoshë. Bordet alla komunizëm jo zgjidhje e krizës
Pasi kryeministri Edi Rama vizitoi një market lagjeje për çmimet, ka reaguar Partia Demokratike. Nënkryetarja Jorida Tabaku thotë se qytetari nuk kanë nevojë për lëmoshë. Për deputeten bordet alla komunizëm nuk janë zgjidhje e krizës. “Masat e qeverisë janë populiste dhe tërësisht të pashëndetshme për ekonominë dhe aq më pak për qytetarin. Nuk ka nevojë qytetari për lëmoshë! Kjo paketë tregon fatkeqësisht se qeveria ende mendon buxhetin e shtetit si një torbë që i dhurohet oligarkëve dhe jo në shërbim të qytetarëve”.
Postimi i plotë
Bordet alla komunizëm nuk janë zgjidhje e krizës. Paketa e gjoja shpëtimit të krizës është ajo e talljes me qytetarët. Në një kohë kur çmimet për produktet më thelbësore të shportës së qytetarëve janë rritur me 200 lekë, në një kohë kur çmimi i naftës është kaq i lartë si pasojë e taksave të vendosura nga qeveria.
Atëherë zgjidhja që ofron qeveria është një paketë e programuar të implementohej në qershor që sillet më shpejt në kohë. Nuk e shpëton qytetarin pagesa për 3 muaj me radhë e rritjes së cmimit të shportës, kjo është qesharake dhe nuk bazohet në nevojat reale. Qeveria nuk mund të shpërndajë lëmoshë por duhet të gjejë mekanizmat për të mos rënduar xhepin e qytetarëve.
Rruga e vetme është ajo e ndryshimit të strukturës së taksimit sidomos në një kohë kur inflacioni është 4%. Pra shqiptaët që marrin të njëjtën rrogë i blejnë produktet 4% më shtrenjtë se sa një vit më parë, pensionistët blejnë thuajse 7% më shtrenjtë produktet ushqimore ndërkohë që pensionet i kanë qesharake dhe më të ulëtat në rajon!
Shqipëria sot është në një krizë të paralajmëruar që në shtator kur diskutohej buxheti. Qeveria asokohe ishte e shqetësuar të planifikonte satelitët në hapësirë ndërsa opozita këmbëngulte për qyetetarët në Shqipëri.
Në këtë kohë krize qeveria po programon më shumë taksa; do rikthejë taksën për Biznesin e Vogël dhe një sërë taksash të tjera që do ta kthejnë jetën e një sipërmarrësi dhe të punësuari në një ferr të vërtetë.
Masat e qeverisë janë populiste dhe tërësisht të pashëndetshme për ekonominë dhe aq më pak për qytetarin. Nuk ka nevojë qytetari për lëmoshë! Kjo paketë tregon fatkeqësisht se qeveria ende mendon buxhetin e shtetit si një torbë që i dhurohet oligarkëve dhe jo në shërbim të qytetarëve.