Edi Rama: Votimi me 2/3 absurditet i PD, duhet reformë jo një farsë
Kryeministri Edi Rama tha se kërkesa e opozitës për një formulë votimi prej 2/3 është një absurditet që vjen për shkak të një leximi ekstravagant të opinionit të Komisionit të Venecias. Në një intervistë me gazetaren Eni Vasili në emisionin Studio e Hapur, Rama tha se kërkesa e opozitës është një absurditet, dhe se fakti se ata dalin dhe vijnë në tryezën e reformës në drejtësi, vjen për shkak të “motit që ka SHQUPI”. Kreu i qeverisë tha se reforma në drejtësi ka qenë një proces shembullor i cili ka marrë dhe mbështetjen e faktorit ndërkombëtar. Duke ju përgjigjur dhe akuzave të kreut të opozitës Lulzim Basha se po bëhet një lojë maskash, ku kryeministri më së fundmi hoqi maskën, Rama tha se “Loja që po luhet në rast se i referohemi lojtarit (Basha) në fjalë dihet që është loja e luajtur disa herë, ku sfondi është bardh e blu, ku ka dhe një drapër e çekan që thotë PD. Procesi që kemi realizuar ka qenë i suksesshëm dhe unë kam marrë personalisht mbështetje dhe mesazhe pozitive për procesin në fjalë. Me një komision parlamentar me ekspertë, për të cilët më vjen shumë keq që janë anatemuar nga opozita. Ka qenë e hapur tryeza për ekspertët, qofshin nga Presidenti apo nga opozita. Të mos harrojmë se opozita ka ardhur vonë në këtë proces.
Se kush ka maska këtu dhe se kujt i ka rënë maska këtu, këtë e dinë më mirë shqiptarët.
Unë do flas mbasi Venecia do të shprehet. Ne duhet të lëmë që procesi të përfundojë. Ajo që po them në thelb është që ne po ndryshojmë të kushtetutën e Shqipërisë. Më jep një vend të botës që pranon të ndryshojë këshillat e avokatëve me 3/5…. Kush është këtu partia që ka mazhorancën e votave, që ka 3/5?! Nuk ka një të tillë. Kualicioni ka të tilla vota, pra PS, LSI dhe PDIU që ka ardhur në kualicion më vonë.
Për ne 2/3 janë një absurditet. Ne do të çojmë draftin e komisionit dhe PD sic ka bërë edhe një herë, të cojë kundërshtitë e saj në Komisionin e Venecias… dhe nëse Venecia thotë po, 2/3, atëherë do t’i ngjisim malet së bashku.”- tha Rama.
Nëse ka prova për Ministra të korruptuar, atëherë i kallëzoj personalisht në prokurori
Gazetarja Eni Vasili, duke ju referuar disa prej deklaratave të Ambasadorit Lu, se “kush i trembet reformës në drejtësi… ministrat dhe deputetët e korruptuar” është përgjigjur duke thënë se nëse ka prova të tilla do të jetë ai vetë personalisht që do t’i kallëzojë ata.
“Në dijeninë time në këtë qeveri që unë drejtoj nuk ka ministra të korruptuar, nëse ka ministra të tillë dhe paraqiten prova bindëse për këtë, unë e kam thënë, nuk do ta shkarkoj, por do shkoj vetë ta denoncoj në prokurori atë, cilido qoftë.”- tha Rama.
Rama shpjegon vizitën e tij në SHBA në fillim të vitit
Kryeministri Rama i ka dhënë përgjigje shumë diskutimeve që kanë marrë në media shumë rreshta e kohë televizive, në lidhje me vizitën e tij në SHBA në ditët e para të viti 2016, ku dhe nisën përmbytjet për shkak të reshjeve të shiut.
“Kudo ku të jem unë gjithmonë është problem për ata që duan ta bëjnë problem… unë u nisa për një fjalë të dhënë një burri shumë të moshuar i cili përpara Vitit të Ri kaloi një sëmundje shumë të rëndë dhe e kam telefonuar në spital dhe i kam thënë se gjithçka do të shkojë shumë mirë dhe se Vitin e Ri do ta festonim së bashku. Mora 3 ditë shumë të çmuara, sepse janë ato pak ditë që ti mund të bësh pushim, ato ditë ku të gjithë flenë… dhe mora një rrugë shumë të gjatë me Lindën, ditë të cilat koinçiduan me fillimin e reshjeve në vend…E vërteta është se unë atje kam qenë dy ditë e gjysëm dhe reshjet kanë filluar më pas, gjysmën e dytë të ditës…Fakti që nuk je fizikisht aty apo këtu nuk ka rëndësi të madhe në ditët e sotme, sepse punën unë e kam bërë njësoj… jetojmë në një kohë kur përmbytjet kanë filluar të prekin edhe vendete e zhvilluara, për shkak të ndryshimeve të klimës. Pak kohë më parë në Britani ka patur përmbytje, ku kishte edhe viktima, ka patur një debat të madh në parlamentin e Britanisë për këtë çështje.
E vërteta është që në rradhën e parë dhe në radhën e dytë, biletat nuk shiten dhe janë të rezervuara dhe ata që i kanë janë korporat, kompani ose persona që i rezervojnë gjatë gjithë vitit. Fati ishte se dikush që kishte një rezervim të tillë, na dha mundësinë për të parë atë ndeshje. Nuk është ndeshja e 100 që kam parë, mu dha një mundësi dhe e pashë dhe ku është mëkati tani këtu?- tha Rama- Nuk kushton sepse është një karrige e rezervuar. Kjo ishte një vizitë tërësisht private, i paguan pjesa më e mirë e familjes, që është gruaja ime. Ajo është personi që mban llogaritë e familjes. E vërteta është që vizitën atje e kemi financuar vetë.”- u shpreh Kryeministri.
Rama flet për ekspozitat e tij të pikturave
Kryeministri Rama u ktheu përgjigje edhe akuzave të PD-së se bën ekspozita me pikturat e tij jashtë vendit, duke i kaluar ato pa doganë. Sipas tij, arti kontemporan është i lirë në të gjithë botën. Ai tha se kur është në zyrë nuk pikturon, por shkarravit nëpër copa letrash.
“Këto shkarravina, siç thotë Saliu, i pëlqejnë ekspozitat e huaja dhe i blejnë. Me shitjen e tyre jashtë vendit merren ata dhe jo unë. Por pikturat e mia do të bëhen pjesë e deklaratës së pasurisë”, tha Rama.
“Këtë vit 40 milionë dollarë për kanalizimet, flotën e automjeteve dhe ujitjen e tokave
“860 kilometra kanale kemi pastruar deri tani… Kam një lajm të rëndësishëm, në buxhetin e vitit 2016 kemi vendosur 40 milionë dollarë për ujitjen dhe kanalizimet. Flota që ne kemi trashëguar për të pastruar kanalet, është 67 mjete nga të cilat vetëm 17 punojnë. Po tu afroheni do të vini re se ato kanë emra sovjetikë dhe kinezë, pra janë të kohës së xhaxhit. Ne kemi një projekt për të shmangur të gjithë atë pjesë të përmbytjeve që vjen jo si rezultat i reshjeve të mëdha, por që atë që mund të shmanget, ne do ta shmangim. Nga ana tjetër, ne kemi edhe faturën e të gjithë asaj gostie të madhe, ku e hëngrën në mënyrë të babëzitur të gjithë Shqipërinë tonë, ku janë prerë pyjet, janë ndërtuar pa projekte etj etj.”- tha Rama.
(marre me shkurtime nga news24)