Rama:Nuk i shmangemi asnjë detyrimi ligjor e moral, në raport me njerëzit e zonave të përmbytura

Rama:Nuk i shmangemi asnjë detyrimi ligjor e moral, në raport me njerëzit e zonave të përmbytura

Konferenca për shtyp e Kryeministrit Edi Rama:

Së bashku me Ministrin e Financave, Ministrin e Ekonomisë, Ministrin e Bujqësisë, si dhe me praninë e Guvernatorit të sapozgjedhur të Bankës së Shqipërisë jemi takuar me drejtuesit e të gjitha bankave të nivelit të dytë. Qëllimi i takimit ishte ndihma e domosdoshme për fermerët e zonave të përmbytura bujqësore, që kanë marrë kredi nga bankat. Asgjësimi i prodhimit të tyre, si dhe e një pjesë të konsiderueshme të infrastrukturës së tyre prodhuese, kryesisht sera, por jo vetëm, i vendos ata në një pozitë tërësisht të pafavorshme ndaj bankave ku kanë marrë kredi. Kërkesa jonë ishte e qartë: Të gjithë këta kredimarrës duhet të mos trajtohen njësoj si të tjerët. Atyre duhet t’u jepet një periudhë kohore e arsyeshme, pa asnjë detyrim ndaj bankave. Për të bërë të mundur që në ndërkohë, ndihma që ne do t’u japim t’i rikthejë në pozitë normale ndaj bankave. Edhe përgjigjja e bankave na tingëlloi shumë e qartë: Po, këtyre kreditorëve do t’u krijohet kjo lehtësi.

Po sot, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë dhe bankat e nivelit të dytë, sëbashku me përfaqësuesit e qeverisë do të diskutojnë dhe dakordësohen për detajet teknike të një marrëveshjeje të shkruar, të qartë e të favorshme për fermerët e prekur nga fatkeqësia natyrore.

Së dyti, ashtu siç e kemi përsëritur këto ditë, moti nuk do të jetë aspak i favorshëm as 48 orët e ardhshme dhe sipas parashikimeve meteorologjike duhet të presim më të keqen. Duke shpresuar që e keqja të mos ndodhë, ne sidoqoftë jemi në gatishmërinë maksimale, për të vazhduar të përballojmë me suksesin e deritanishëm operacionet e nevojshme në ndihmë të njerëzve, të kërcënuar në jetën e tyre në radhë të parë dhe po ashtu për të vazhduar të sigurojmë digat, argjinaturat, pritat dhe apo rrugëkalimet e njerëzve në zonat e prekura nga përmbytja.

 

Nuk mund të rri pa e shprehur trishtimin tim për nivelin mizerabël të sulmeve politike ndaj qeverisë, këto ditë kur nuk është në lojë fati i ndonjë fushate elektorale, por vetë jeta e njerëzve dhe fati i gjësë së gjallë, i prodhimit dhe i pasurisë së tyre të patundshme. Këto sulme, padyshim që nuk do të na pengojnë të bëjmë deri në fund, me përgjegjshmëri të lartë dhe përkushtim të plotë, çdo detyrë ndaj njerëzve, por e vërteta është se përmes këtyre sulmeve nxitet jo solidariteti, por përçarja, jo dashuria për njerëzit, por urrejtja mes tyre, jo shpresa dhe bashkëpunimi shoqëror, por dëshpërimi dhe shthurja sociale. Janë sulme që nuk sjellin asnjë dobi, asnjë përmirësim konkret të punës, që si çdo punë nuk është e përsosur në kohë normale dhe jo më në kohë dramash të tilla, por sjellin vetëm një pengesë më shumë në kryerjen e një pune kaq të rëndë, kaq të veçantë dhe besoj, kaq të përbashkët.

 

E di që as trishtimi i rastit dhe revolta e natyrshme ndaj kësaj forme kaq të ulët të jetës politike, e cila shfaqet në tërë mjerimin e saj kur kulmon përballja me një të keqe, nuk do të ndryshojë asgjë.

 

Sidoqoftë nuk mund të rrija pa e thënë, ndërkohë që dua t’i siguroj të gjithë qytetarët, që ashtu siç ishim plotësisht të përgatitur për këtë emergjencë, për të cilën u morën masat pa filluar moti tërbimin e vet dhe siç do të jemi gati deri në fund, ta përballojmë duke shmangur gjithçka që njeriu mund të shmangë në këto kushte të pafavorshme beteje me natyrën, jemi plotësisht të përgatitur për fazën tjetër, atë të kurimit të plagëve të hapura nga përmbytjet. Qeveria nuk do t’i shmanget asnjë detyrimi të saj, ligjor dhe moral, në raport me njerëzit dhe zonat e prekura nga përmbytjet, por njëkohësisht, me t’u kaluar faza kritike e emergjencës prej motit, do të fokusohemi tërësisht, me një plan solidariteti social, për përballimin e të gjitha pasojave, imediate apo afatmesme, të përmbytjeve.

 

Së treti, një temë tjetër, por jo krejt pa lidhje me situatën në të cilën po flasim. OSHEE-ja, pasi ka analizuar me përgjegjshmëri të plotë, ankesat e disa mijërave konsumatorëve në drejtim të saj, bazuar në vendimin e ERE-s nr. 19, datë 25.10.2010, e përsëris 2010-të, për energji të matur dhe dëm ekonomik ndaj konsumatorit përmes faturash aforfe dhe gjobash arbitrare, do të marrë sot, zyrtarisht, vendimin në mbështetje të të gjithë atyre konsumatorëve të prekur nga kjo padrejtësi e madhe dhe e vazhduar në vite. Kjo do të thotë se bazuar në këtë vendim, 51 500 konsumatorë fitojnë më në fund, të drejtën e tyre dhe çlirohen nga këto detyrime të padrejta.

 

Ky është një mësim për të gjithë ata që nuk besojnë se duke ngritur zërin, duke u ankuar në rrugë institucionale dhe duke denoncuar padrejtësitë, nuk e gjejnë të drejtën. Është pikërisht numri i ankesave dhe denoncimeve të vetë konsumatorëve që sjell në vendosjen përfundimtare të kësaj të drejte.

 

Po ashtu, këtyre 51 500 konsumatorëve do t’u shtohen edhe 2400 të tjerë, të cilët në bazë të disa vendimeve nominative të ERE-s, qysh prej vitit 2011, e përsëris 2011-të, kanë të njëjtën të drejtë.

 

Pra, nga futja në rrugën e ligjshmërisë në raport me energjinë elektrike, OSHEE jo vetëm mbledh detyrimet e konsumatorëve ndaj kompanisë, gjë që do ta bëjë pa pushim, një për një për dhe pa asnjë lëshim, por për herë të parë në historinë e turpshme të tranzicionit në këtë sektor kritik, njeh detyrimin vet ndaj 53 900 konsumatorëve, në masën e 41.8 miliardë lekëve ose 41.8 milionë dollarëve.

 

E pra, ky është botëkuptimi i ri qeverisës në Shqipëri, kjo është përgjegjësia e re dhe e panjohur më parë e Qeverisë së Shqipërisë. Kështu ndërtohet shteti modern i shqiptarëve, të cilët duhet të kontribuojnë të gjithë për shtetin e tyre dhe të cilëve, shteti do t’ju kërkojë një për një detyrimet për atë që u takon, por duhet të marrin nga shteti i tyre, çdo gjë që u takon.

 

Në ndërkohë po studiojmë edhe një trajtim të veçantë për njerëzit e zonave të prekura, lidhur me borxhet e energjisë. Sot nuk mund të them më shumë, por shumë shpejt do të kemi një alternativë të favorshme për ta. Dhe në këtë aspekt, për ne, me njerëz të zonave të përmbytura nuk mbahet parasysh vetëm kush është i përmbytur sot, por unë kam parasysh edhe ata të shkretët lart në Shkodër dhe Nën Shkodër, të cilët e mbajtën pushtetin e deridjeshëm në krah, me dy gishtat lart dhe të cilëve, ai pushtet u la gishtat në gojë, duke ju premtuar se do t’i kthente çdo qindarkë dëm, sa herë që përmbyteshin dhe j’u shpallte gjendjen e emergjencës dhe duke j’u kthyer në fund vetëm një gjë, kurrizin e vet.

 

Faleminderit!

 

 

 

Zoti Rama, ju thoni që ndjeni keqardhje për opozitën, por ku ndryshon mënyra se si po sillen ata sot në opozitë dhe ju, dje në opozitë? Edhe ju e akuzonit qeverinë e djeshme se nuk po menaxhonte si duhet situatën e përmbytjeve në Shkodër dhe ku ndryshon menaxhimi që po ju sot në qeveri? Sepse pak a shumë të dy keni deklaruar se ishte një fatkeqësi natyrore ajo që ndodhi.

 

Nuk dua të bëj krahasime të tilla. Këto krahasime bëjini ju. Keni të gjithë lirinë dhe po ashtu edhe mundësinë t’i bëni këto krahasime. Por, dua të kujtoj vetëm një gjë, për ne nuk ka qenë, dhe nuk është as sot, fatkeqësi natyrore ajo përmbytje që erdhi si rezultat i një menaxhimi skandaloz, me sfond korruptiv të kaskadës së Drinit. Për të tjerat, besoj se kush ka sy të shikojë, veshë të dëgjojë dhe tru të mbajë mend, dallimet janë fare të qarta.

 

Zoti Kryeministër, opozita po ngulmon se qeveria përballë kësaj situate duhet të shpallte gjendjen e jashtëzakonshme. Po të njëjtën gjë la të kuptohej edhe Presidenti i Republikës gjatë konferencës së sotme për shtyp. Çfarë e shtyn qeverinë për të mos e shpallur gjendjen e jashtëzakonshme?

 

Pyetja e dytë, Presidenti i Republikës në konferencën për shtyp shprehu shqetësimin se situata e komunikimit President – Qeveri për marrëdhëniet ndërkombëtare nuk është korrekte. Cili është komenti juaj?

 

Do t’ju sugjeroja miqësisht që duke dashur t’u përgjigjem çdo pyetje të mos e vendosni asnjëherë Presidentin si arsye për pyetjen, sepse unë i mbetem besnik asaj që kam thënë, që çfarë kam për t’i thënë Presidentit ia them vetëm në sy. Ky është një tjetër dallim i madh dhe një tjetër ndryshim i madh që ka ndodhur në Shqipërinë e pas 23 qershorit, ku Qeveria nuk sulmon Presidentin. Sigurisht, pas 23 qershorit kemi për herë të parë një President që sulmon Qeverinë, gjë që nuk e kemi pasur në të shkuarën, por kjo është zgjedhja e Presidentit, nuk është zgjedhja jonë. Me Presidentin kemi, për sa na takon, kanalet institucionale të komunikimit dhe të jeni shumë të sigurt se çfarë kam për t’i thënë dhe çfarë kemi për t’i thënë ia themi ballë për ballë dhe sy më sy. Presidenti ka bërë zgjedhjen e tij, të gabuar për institucionin, për autoritetin e kreut të shtetit, për rolin e tij kushtetues, por është zgjedhja e tij.

 

Për sa i takon shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme, besoj që dje në Parlament janë dhënë sqarime shteruese, por mbase duhet të përmbledh sa më poshtë:

 

Kush na e kërkon shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme dhe pse na e kërkon?!

 

Na e kërkojnë ata që e kanë shpallur gjendjen e jashtëzakonshme nja 4 herë, në mos gabohem dhe na e kërkojnë me argumentin që vetëm po shpalle gjendjen e jashtëzakonshme je i detyruar të dëmshpërblesh 100 % të prekurit nga fatkeqësia natyrore, në këtë rast. Pyetja është e thjeshtë: Pse nuk i kanë dëmshpërblyer njerëzit e prekur në situatat e gjendjes së tyre të shpallur si të jashtëzakonshme?

 

Dhe faktikisht kanë lënë në kurriz të kësaj qeverie, mes shumë e shumë borxhesh të tjera, një borxh prej 37.4 milionë dollarësh, një borxh ndaj familjeve të prekura nga përmbytjet në qarkun e Shkodrës, gjatë periudhës 2010- 2011, në vlerën 21.4 milionë dollarë dhe si një borxh të mbledhur në vitet e tjera, para hatave të Shkodrës, në vlerën 16 milionë dollarë. Ashtu sikundër, lanë në arkën e shtetit për emergjencat 570 dollarë. Pa llogaritur që i tretën, se ku tretën kjo mbetet mister, të gjitha fasulet, të gjitha pakot e orizit, lanë vetëm 85 kg sheqer dhe 241kilogramë konserva mishi, pa llogaritur karburantin, që përgjithësisht e kanë pirë të tërin edhe kur s’ka pasur gjendje të jashtëzakonshme, që e lanë zero litra, bashkë me gjashtë palë çizme, që nuk e di për kë i lanë.

 

Ndaj besoj se mjafton të themi se vetëm në një vit kemi vënë në dispozicion 5.66 milionë dollarë për dëmshpërblime, ne, mbi këtë borxh që s’është borxhi i krijuar prej nesh, ndërkohë që ata kanë dëmshpërblyer 81 800 dollarë nga gjithë hataja e Shkodrës, në 2012 dhe 190 000 dollarë në 2013, që ishte vit elektoral dhe që, siç rezulton, paratë u kanë shkuar jo drejtpërdrejtë të prekurve, por të puthurve me Partinë Demokratike.

 

Kjo është e vërteta e shifrave. Kështu që unë e neveris këtë debat. Fatkeqësisht, jemi të detyruar të përgjigjemi. Jemi përpjekur dhe do të vazhdojmë të përpiqemi të përgjigjemi në mënyrë sa më të kufizuar.

 

Shqipëria i njeh, Shqipëria i di, Shqipëria i sheh, i dëgjon dhe i gjykon të gjithë.

 

Megjithatë, shpeshherë lind nevoja për t’ia kujtuar Shqipërisë se kush janë këta që predikojnë nga mëngjesi deri në darkë se duhet shpallur gjendja e jashtëzakonshme dhe nuk e kanë haberin fare as se ç’është gjendja e jashtëzakonshme, as kur dhe pse shpallet dhe as cilat janë detyrimet që burojnë prej saj.

 

Faktikisht, kjo është një fatkeqësi natyrore. Zonat e prekura kanë dëme të konsiderueshme, por në masën e vetë, së pari kjo nuk është e krahasueshme me çfarë ndodhi në Shkodër. Kujtoj që i gjithë qyteti u bllokua nga uji, gjithë Ultësira u bllokua nga uji dhe ndërkohë shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme do të kërkonte shtrirjen e saj në të gjithë qarkun apo qarqet ku ka zona të prekura, duke sjellë kufizime të detyruara me ligj të cilat ne nuk kemi pse i vendosim sot, nga vajtja e fëmijëve në shkollë tek liria e qarkullimit e të tjera me radhë. Nga ana tjetër, unë e përsëris që ne nuk do t’i shmangemi asnjë detyrimi që do të burojë nga inventari real i dëmeve. Sikundër, ne do të mobilizojmë forcat dhe burime si asnjëherë më parë për t’iu gjendur pranë njerëzve në kurimin e plagëve imediate dhe për të kuruar dhe shëruar plagët që rrezikojnë të dëmtojnë edhe ekonominë e gjithë atij territori në afatmesëm. Për këtë arsye kemi vendosur si prioritet zëvendësimin e menjëhershëm të krerëve të humbur dhe mbështetjen me sa të jetë e mundur të rikuperimit të prodhimit të humbur, flasim në vlerë dhe të infrastrukturës së shkatërruar prodhuese.

 

 

 

A mendoni se do ndikojë fatura e dëmshpërblimit që ju do të bëni pasi të bëni inventarin e saktë, në rritjen ekonomike të vitit 2015 apo planin tuaj të investimeve publike gjatë vitit 2015? Duke qenë se edhe një faturë konkrete të dëmeve të shkaktuara qeveria ende nuk e ka.

 

Më falni, dëmet do të inventarizohen të plota, me faturat përkatëse, kur të përfundojë kjo fazë e parë. Ne e kemi sot një faturë që përditësohet, e cila sigurisht do të kolaudohet me të gjithë mekanizmat e nevojshme për të pasur transparencë dhe vërtetësi, por nga ana tjetër, do të jemi në gjendje në fund të përballjes me motin për të pasur një vështrim të qartë edhe mbi impaktin që kjo fatkeqësi do të ketë mbi ekonominë e zonës apo mbi ekonominë kombëtare.

 

 

 

Do të doja të pyesja për Shkodrën? Si është situata meqënëse ka pasur reshje të dëndura të shiut? A mund të kemi situatë të ngjashme me Novoselën dhe Levanin, duke qenë se mund të kemi një situatë të mundshme të hapjes së portave të Fierzës dhe më pas të Vaut Dejës?

 

Deri sot nuk kemi asnjë arsye të mendojmë për një skenar të tillë. Madje kemi filluar të eksportojmë energji. Administrimi i kaskadës gjatë gjithë kësaj periudhe, qysh se ne kemi marrë përgjegjësinë e drejtimit të vendit, ka qenë mëse i mirë. Përditësimi i informacionit, qoftë për ministrin e Energjisë, qoftë edhe për zyrën e Kryeministrit ka qenë i vazhdueshëm.

 

Bazuar në të dhënat aktuale, qoftë të kaskadës, qoftë meteorologjike nuk kemi arsye të mendojmë për skenarin e hapjes së portave dhe nuk besojmë se do të jetë kjo e nevojshme. Nëse do të kemi surpriza nga moti, kjo do të shihet në vijim, por deri tani kjo nuk është pjesë e shqetësimeve më serioze.

 

 

 

Në rishikim e buxhetit të vitit 2014, rishikim që u bë në muajin shtator, zëri infrastrukturë ujitëse dhe kanalizime u shkurtua me 25 %. A mund të na thoni pse u bë një shkurtim i tillë dhe ku shkuan këto para?

 

Së pari dua t’ju siguroj që gjatë kësaj periudhe, duke filluar nga tetori 2013 dhe duke vazhduar deri tani, është bërë volumi më i madh i pastrimit të kanaleve, krahasuar me 20 vite të shkuara. Dhe, nga nisem unë që e them këtë? Nisem nga fakti se janë zhbllokuar kanale kryesorë që nuk ishin prekur prej 20 vitesh.

 

Ndërkohë që, akset më strategjike të kullimit i kemi gjetur në një derexhe që tregon se çka është investuar për to ka shkuar bashkë me fasulet dhe me orizin e emergjencave, në drejtim të ditur, por të paverifikueshëm, ku, konkretisht.

 

Nga ana tjetër, ju siguroj se për ne është prioritet garantimi i ujitjes dhe i kullimit, dhe kemi marrë një zotim me të cilin do të përballemi në vitin 2017. Të tjerat janë të gjitha pallavra.

 

Në ditën e shtatë të përmbytjeve, a mund të na thoni se çfarë buxheti keni vënë në dispozicion për menaxhimin e përmbytjeve dhe a keni nxjerrë një vendim të Këshillit të Ministrave për këtë qëllim?

 

Së dyti, përse Drejtoria e Emergjencave nuk jep informacion periodik zyrtar për situatën në vend?

 

Ka pasur informacion të vazhdueshëm zyrtar nga Ministria e Brendshme dhe nga ana tjetër, të gjitha strukturat përkatëse të emergjencave, të policisë, të ushtrisë, të qarqeve, të prefekturave, të pushtetit vendor janë angazhuar maksimalisht dhe kanë vepruar me efektshmërinë maksimale brenda kornizës në të cilën jemi të detyruar të lëvizim.

 

Kjo nuk është vetëm një betejë me motin. Kjo është dhe një betejë me një të shkuar tragjike, ku ka ndodhur katrahura më e madhe territoriale dhe urbane në Europën e pas Luftës së Dytë Botërore, të paktën. Po të doni, mund të themi dhe në Europë, qysh se Europa ekziston. Asnjë shtet, asnjë krahinë, asnjë fshat europian nuk ia ka lejuar vetes as në mesjetë këtë që ka ndodhur në Shqipërinë e gjithë këtyre viteve, të kaosit dhe të filozofisë “ndërto ku të mundesh se ndërtimi është bereqet”. Faktikisht, gjithë kjo ndërtimtari ku të mundesh për bereqet, jo vetëm që ka sjellë një dëmtim masiv të infrastrukturës, të gjithë sistemit të infrastrukturës, nga rrugët tek kanalet vaditjes, te kanalet e kullimit e me radhë, por ka sjellë edhe një faturë të përbindshme erozioni, me shkatërrim pyjesh e lumenjsh për lëndë të parë, gjëra që sigurisht gjithmonë paguhen dhe ka një ditë kur faturat i sjell natyra. Kështu që, padyshim, në këtë betejë jemi krejtësisht në pozicion të disfavorshëm, sepse nuk luftojmë vetëm me motin, por luftojmë edhe me të shkuarën, pa llogaritur edhe gjendjen e logjistikës. Gjashtë palë çizme na lanë për emergjencat dhe disa kamerdare ku kishin shkruar sipër Delta Force. Sigurisht që, ne kemi përmirësuar brenda mundësive logjistikën e emergjencave, por jemi larg së pasuri një logjistikë të standardeve europiane. Është një logjistikë që kushton dhe është një logjistikë që do të kërkojë kohën e vet për t’u plotësuar me të gjithë elementët e vet.

 

Kështu që, në këto kushte, ajo çfarë kanë bërë ato 2100 forca në terren është heroike, sepse kanë luftuar me këmbë e duar, në radhë të parë dhe pastaj, me mjete të kufizuara, përballë një situate shumë kritike. Kjo është një arsye më shumë që ata që sot flasin, së paku për këtë çështje të heshtin. Ka plot ditë me diell për t’u marrë me qeverinë dhe për t’u marrë me gjithë infrastrukturën e përmbytjeve dhe të llumit verbal. Por në këto ditë, besoj se heshtja do të ishte e vetmja ndjesë dinjitoze që do t’u kërkonin shqiptarëve për këtë katandi ku e kanë lënë Shqipërinë.

 

 

 

Zoti Kryeministër, nga takimi i sotëm me bankat, ju thatë që do të përcaktohen detajet e mënyrës si do të operohet, por a ka një të dhënë paraprake sesa mund të jenë përfituesit nga ky vendim dhe sa mund të ndikojë në nivelin e kredive me probleme. Pyetja e dytë lidhet me parashikimin që BB ka bërë në raportin e fundit, ku evidenton faktin se rreziku i ri për ekonomitë e vendeve të rajonit janë pikërisht katastrofat. A mund të diskutohet opsioni i një plani afatgjatë, mbase në rang rajonal, duke qenë se kostot për një plan për Shqipërinë janë të larta dhe mundësitë ekonomike mund të mos jenë të favorshme për një plan të veçantë për Shqipërinë?

 

Pyetja është me shumë vend, por nuk vjen në kohën e duhur, pasi sot jemi fokusuar tek kjo emergjencë. Ajo që presim nga bankat është që të na japin përgjigjen e qartë dhe me detaje të asaj që do të bëjnë për atë njerëz atje. Pastaj për më shumë, kjo i takon një debati dhe një vendimmarrjeje që duhet të vijë më pas. Sigurisht që, pyetja është plotësisht me vend, patjetër.

 

 

 

Banorët e jugut akuzojnë se disa grupe të vlerësimit, që kanë shkuar në banesat e tyre, kanë shkuar të dehur, madje, disa prej tyre nuk kanë shkuar fare. Pas konstatimeve të marra, Neës 24 ka bërë verifikimet në terren dhe ka konstatuar një grup të dehur vlerësimi. Zoti Kryeministër, sa garantoni besueshmërinë e procesit të vlerësimit dhe të dëmshpërblimit, pas një ngjarjeje të tillë? Ju folët edhe për një vlerësim real të dëmeve.

 

Së pari, ju jeni gazetarë dhe shpeshherë ju qëllon të shkoni në terren dhe ju e dini mirë se nga pika ku vendosni kamerën dhe në drejtimin ku çoni mikrofonin mund të përcaktoni me imazhe dhe me zëra se çfarë lajmi jepni. Dhe, mund të jepni dy pamje tërësisht të ndryshme, thjesht duke kthyer kokën ose majtas, ose djathtas. Ju e dini shumë mirë këtë gjë.

 

Në këtë rast, shumë nga ato gjëra që shohim në ekrane duhen marrë me reserve. Kjo është edhe arsyeja që besoj se në këtë rast meriton vlerësim puna që keni bërë të gjithë, sepse përgjithësisht ka qenë e përkushtuar për të përcjellë informacion dhe jo dizinformacion.

 

Nga ana tjetër nuk kam as më të voglin dyshim se në situata të tilla ka nga të gjitha. Sigurisht mund të ndodhë edhe kjo që thoni ju, ashtu siç mund të ndodhë që të kenë qenë të dehur ata që keni çuar ju. Por kjo nuk përjashton aspak të vërtetën e madhe se puna që po bëhet është një punë e madhe, shumë e vështirë, në kushte të pafavorshme, por deri tani me plot gojën e suksesshme. Pse e suksesshme? Sepse janë shmangur pasoja e dëme, të cilat nuk përbëjnë lajm se janë shmangur, por që nëse do të kishin ndodhur, do të kishim një pamje tërësisht tjetër. Tërësisht tjetër!

 

Kështu që, me falenderimin që erdhët, me falenderimin për gjithë pyetjet tuaja dhe me falenderimin për punën e vështirë të këtyre ditëve, po ju lë dhe ju siguroj se gjithçka që thashë sot, sidomos lidhur me angazhimin tonë, është në dorën tuaj, për t’u vërtetuar përmes kontaktit tuaj me realitetin.

SHKARKO APP