”Ramën do ta gjunjëzojmë”, Noka prezanton drejtuesin politik në Kavajë: Skapistët do çmontohen
Partia Demokratike ka prezantuar Fisnik Qosjan si drejtues politik për Kavajën dhe Rrogozhinën. Sekretari i Përgjithshëm i demokratëve, Flamur Noka tha se PD është në fazën e ringritjes së saj dhe ka për qëllim të sjellë ndryshim përmes bashkimit dhe përfshirjes së qytetarëve në angazhime. Ai foli mbi sfidat e kaluara dhe përgatitjen për zgjedhje të lira, si dhe për formimin e një qeverie teknike.
”Jemi sot në një moment politik shumë të rëndësishëm për ne. Kemi kaluar kalvar dhimbjesh dhe vuajtjesh, sepse i pashpirti, shpirtkazma, Edi Rama, me mbështetjen e Xhorxh Soros kërkonte që të zhbënte opozitën dhe pastaj të zhbënte Shqipërinë. Ne sot, jemi në një pozitë krejt tjetër, jemi në një pozitë shumë më të fortë. Ne jemi në një ringritje të pandalshme drejt pushtetit për të gjunjëzuar Edi Ramën dhe regjimin e tij dhe për t’i dhënë shqiptarëve zgjedhje të lira dhe qeveri teknike. Sot Rama po i humb aleatët një e nga një. I vetmi aleat që i ka ngelur sot është Dumani. Por edhe Dumani do çmontohet, edhe skapistët do çmontohen, sepse nuk janë funksionojnë mbi ligjin dhe bazën e ligjit. Ata janë një organizatë kriminale që ka patur synim rrënimin dhe shkatërrimin e opozitës”, theksoi Noka.
Duke folur për situatën aktuale politike dhe ekonomike në Shqipëri, Noka akuzoi qeverisjen e Edi Ramës dhe siç tha ai, lidhjet e tij me elementë të korruptuar. ”Ne jemi në momente ku situata është bërë e vështirë, qoftë në aspektin ekonomik, qoftë edhe në aspektin politik. Kemi një regjim që për asnjë moment as ka menduar dhe nuk mendon për qytetarët e vendit e vetë. Kemi një regjim që nuk ka qeverisur asnjë moment shqiptarët.
Kemi një regjim që e ka shpopulluar këtë vend dhe që projekton, jo pushtet në nëpërmjet votës, por pushtet nëpërmjet dhunës, pushtet nëpërmjet vjedhjes dhe blerjes. Situata është e rëndë në të gjitha aspektet. Jemi në një situatë sot që vendi po zihet. Jemi në një moment sot që qytetarët po zgjohen, dhe është detyrë e jona, detyrë e PD dhe demokratëve të ecim dhe t’i prijmë këtij zgjimi qytetar që të bëjmë të mundur ndryshimin që të gjithë e presim dhe të gjithë të kontribojmë për të”.