Raporti i DASH për pastrimin e parave: Shqipëria s’ka bërë përparim, shkak korrupsioni e institucionet e dobëta! Hyjnë para prej trafikut të drogës
Departamenti Amerikan i Shtetit ka publikuar raportin e 2020-ës për pastrimin e parave ku thuhet se Shqipëria nuk ka bërë asnjë përparim për ta luftuar këtë fenomen. Ndër shkaqet që kanë penguar në luftën kundër pastrimit të parave janë korrupsioni, institucionet e dobëta, trafikimi i narkotikëve dhe aktivitete të tjera të krimit të organizuar.
Sipas DASH organizatat kriminale shqiptare kanë lidhje me rrjetet që veprojnë në Evropë dhe Amerikën e Jugut.
“Qeveria e Shqipërisë nuk bëri asnjë përparim të dukshëm drejt pengimit të pastrimit të parave dhe krimeve financiare në vitin 2020. Shqipëria mbetet e ndjeshme ndaj pastrimit të parave për shkak të korrupsionit, rrjeteve të krimit të organizuar dhe institucioneve të dobëta ligjore dhe qeveritare. Vendi ka një ekonomi të madhe parash dhe sektor informal, me flukse të konsiderueshme parash nga jashtë në formën e remitancave dhe investimeve të ndryshme. Krimet kryesore të gjenerimit të të ardhurave në Shqipëri përfshijnë trafikimin e drogës, evazionin fiskal dhe kontrabandën. Organizatat kriminale shqiptare kanë lidhje me rrjetet që veprojnë në Evropë dhe Amerikën e Jugut“,- thuhet në raportin e DASH.
“Trafikimi i narkotikëve dhe aktivitete të tjera të krimit të organizuar janë burimet kryesore të pastrimit të parave. Afërsia e Shqipërisë me Evropën Perëndimore dhe prania e krimit të organizuar shqiptar në Evropën Perëndimore dhe Amerikën e Jugut rrisin dobësitë. Investimet në pasuri të paluajtshme dhe projektet e zhvillimit të biznesit janë ndër metodat më të përhapura të pastrimit të të ardhurave të paligjshme,- thuhet më tej në raport.