Raporti i DASH për trafikimin e qenieve njerëzore, Luan Rama: Plotësimi i dështimeve të qeverisë
Zëvendëskryetari i LSI, Luan Rama, reagon pas raportit të DASH për trafikimin e qenieve njerëzore, duke e cilësuar atë si kronikë të dështimit të qeverisë së Edi Ramës.
Përmes një mesazhi në ‘Facebook’, Luan Rama shkruan se “lufta kundër trafikimit të qenieve njerëzore ka qenë një prej arritjeve më të mëdha të qeverisë shqiptare, me kulm të vetin operacionin “Puna” të gusht-shtatorit 2002, gjatë të cilit u bllokua përfundimisht trafikimi i qenieve njerëzore nga vendi ynë drejt Italisë dhe gjithë vendeve të Bashkimit Europian”.
Mesazhi i Luan Ramës:
RAPORTI I DEPARTAMENTIT AMERIKAN TË SHTETIT SI KRONIKË E DËSHTIMEVE TË QEVERISË SË EDI RAMËS
Lufta kundër trafikimit të qenieve njerëzore ka qenë një prej arritjeve më të mëdha të qeverisë shqiptare, me kulm të vetin operacionin “Puna” të gusht-shtatorit 2002, gjatë të cilit u bllokua përfundimisht trafikimi i qenieve njerëzore nga vendi ynë drejt Italisë dhe gjithë vendeve të Bashkimit Europian.
Mirëpo, bashkë me rritjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit, me rritjen e kultivimit dhe të trafikimit të lëndëve narkotike, me krimin zgjedhor si shfaqje e bashkëveprimit të qeverisë me grupet kriminale dhe me dhunimin e vazhdueshme të të drejtave të njeriut dhe të lirive qytetarë, është rikthyer edhe krimi i trafikimit të qenieve njerëzore, si plotësim i tërësisë së dështimeve të qeverisë së Edi Ramës.
Këtë realitet të turpshëm dhe që nuk duhet të ketë asnjë pikëtakimi më një vend anëtar të NATO-s dhe që ka si aspiratë kombëtare anëtarësimin në BE siç është Shqipëria, e konfirmon edhe raporti më i fundit i Departamentit Amerikan të Shtetit, në të cilin thuhet: “Qeveria e Shqipërisë nuk i plotëson plotësisht standardet minimale për eliminimin e trafikimit”.
Raporti thekson edhe se qeveria por po bën përpjekje të konsiderueshme për luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore dhe se falë këtyre përpjekjeve Shqipëria mbeti në Nivelin 2 të vlerësimit, por konstatimi se “Qeveria e Shqipërisë nuk i plotëson plotësisht standardet minimale për eliminimin e trafikimit”, është dëshmia e rradhës në kronikën e dështimeve të qeverisë së Edi Ramës.