Raporti i KLSH për teatrin, Spaho: Vërtetoi që është aferë korruptive, synohet ndërtimi i kullave
Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kërkuar rindërtimin e Teatrit Kombëtar aty ku ishte dhe si ishte. Pas auditimit të gjithë dokumentacioneve, vihet re shkelja e ligjit në tjetërsimin e qendrës historike dhe ndërhyrjen me qëllim dhënien e lejeve të ndërtimit.
Në një intervistë për Ora News, nënkryetari i Partisë Demokratike, Edmond Spaho tha se raporti i KLSH-së vërteton se është një aferë e mirëfilltë korruptive dhe ku synohet ndërtimi i kullave pas Teatrit.
Edmond Spaho: ‘‘Raporti i KLSH-së vërteton edhe një herë atë që është thënë prej kohësh, prej pothuajse 2 vitesh. Ajo është një aferë e mirëfilltë korruptive. Gjithçka që është bërë si nga bashkia e Tiranës, por në rradhë të parë nga qeveria, ka pasur si synim ndërtimin e kullave pas teatrit. Këtë e vërtetojnë faktet e bëra publike nga Kontrolli i Lartë të Shtetit, që janë ndryshuar kufijtë e qendrës historike të Tiranës.”
Sipas Spahos, institucionet që duhej të mbronin qendrën historike të Tiranës i shërbyen qeverisë.