Raporti i MJAFT: Lulzim Basha nuk realizoi 60 premtime në 4 vjet

Bashkia e Tiranë ka realizuar vetëm 15 premtime në 4 vite që ka drejtuar  Lulzim Basha si kryebashkiak. Kjo evidentohet në raportin e Mjaft, I cili analizon 4 vitet e bashkisë së qytetit më të madh në vend.

Sipas Mjaft, gjatë prezantimit të platformës elektorale për fushatën e Bashkisë së Tiranës në periudhën Prill – Maj 2011, Lulzim Basha artikuloi disa premtime të cilat u konsideruan më madhoret e kryera përgjatë këtyre 25 viteve.

Disa nga premtimet kryesore, ndër të tjera ishin: krijimi i 30 mijë vendeve të reja të punës, shfuqizimi i 60 taksave/tarifave bashkiake, aplikimi i Kartës Bashkiake Studentore, ndërtimi i Unazës së Madhe, Bulevardit të Ri, sistemit të Tramvajit etj.

Në bazë të deklaratave elektorale të Bashës në hapjen e fushatës, por edhe gjatë saj, janë evidentuar në total 85 premtime të ndara në 6 kategori. Kategoritë janë: Mjedisi, Zhvillimi Ekonomik Lokal, Turizmi Kultura Sporti, Kujdesi Social, Arsimi dhe Infrastruktura.

“Nga analizimi i të gjitha këtyre premtimeve rezultojnë se në total 15 premtime konsiderohen të realizuara, 6 premtime rezultojnë të realizuara pjesërisht, 4 premtime konsiderohen të pamatshme, dhe 60 premtime mbeten të parealizuara”, vlerëson raporti.

Siç vihet re nga të dhënat, numri më i lartë i realizimeve të premtimeve i takon kategorisë së Zhvillimit Ekonomik Lokal me 6 premtime të realizuara. Ndërkohë raporti më i lartë i premtimeve të realizuara me totalin e premtimeve për kategori është ai i Turizmit Kulturës dhe Sportit. Ndërkohë vihet re mungesë e realizimeve përsa i përket premtimeve mbi infrastrukturën. Vepra madhore si Bulevardi i Ri, Stacioni Multimodal, Sistemi i Tramvajit, Unaza e Madhe, Korridori Rekreativ i Lumit të Tiranës, Parku i Dajtit, Parku i Madh i Tiranës kanë rezultuar si premtime të pambajtura. Po në këtë kategori vlen për të përmëndur plotësimi i premtimit për “hartimin e një Plan Bashkëkohor Rregullues për qytetin brenda vitit të parë qeverisës”. Plani u votua datë 15 Shkurt 2013, ku u miratua në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Territorit.

Ndërkohë që në kategorinë e Zhvillimit Ekonomik Lokal, Bashkia e Tiranës ka dështuar në mbajtjen e premtimit për “rritjen me të paktën 2,5 herë të ardhurave të Bashkisë”. Gjithashtu mbetet e realizuar pjesërisht “shfuqizimi i 60 taksave e tarifave vendore dhe do të përfitojnë uljen 2-5 herë më shumë të normës së taksave/tarifave që mbesin”, si dhe“krijimi i 30 mijë vendeve të reja të punës për qytetarët e Tiranës brënda dy viteve të para”.

Pjesë e këtij raporti është analizimi i përmbushjes së premtimeve për periudhën kohorë Qershor 2011, deri në ditën e sotme. Në raport nuk janë parashikuar veprime që do të adresojnë premtimet e mëposhtme, të cilat mund të kryhen përgjatë dy muajve në vijim.

SHKARKO APP