Raporti i SHISH: Risku i sulmeve në sektorë bankarë dhe partitë politike
Shërbimi Informativ Shtetëror ka ngritur shqetësimin në raportin e fundit se institucionet u përballën me rritjen e goditjeve kibernetike. Ky raport vjen në një kohë që të dhënat si paga, ID-të dhe targat janë bërë publike.
”Aktivitetet online, shtetërore dhe jo-shtetërore, u përdoren edhe nga aktorët shtetërorë dhe krimi kibernetik si vektorë të rinj sulmi, për të arritur synimet e tyre. Risku i sulmeve kibernetike ndaj institucioneve në sektorët shëndetësorë, bankarë, të telekomunikimit dhe entiteteve politike vendimmarrëse, u rrit ndjeshëm”.
Një tjetër shqetësim është dhe ai i mbledhjes së informacioneve nga shërbimet e huaja. Shërbimet e inteligjencës së këtyre vendeve u angazhuan në operacione informative, grumbullim informacioni për synime konkurruese gjeostrategjike.
Kalimi në shërbimet online në shumë sektorë bankarë e ekonomikë, do të rritë edhe kërcënimet kibernetike ndaj tyre. Çdo projekt digjitalizimi duhet shoqëruar me masat e duhura mbrojtëse. Por masat mbrojtëse digjitale në institucionet shqiptare po tregojnë një tjetër realitet. Veç pagave, doli se edhe gjendja civile ka mangësi në ruajtjen e të dhënave apo dhe sistemi i targave të automjeteve në republikën e Shqipërisë.