Raporti i Venecias: KED shkeli ligjin. Ardian Dvorani krijoi situatë antikushtetuese
Komisioni i Venecias ka përgatitur një raport paraprak lidhur me përplasjet mes parlamentit dhe presidentit për emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.
Zëri i Amerikës ka zbardhur detaje nga ky raport për çështjen e Gjykatës Kushtetuese.
Në këtë raport bie çështja që lidhet me Këshillin e Emërimeve në Drejtësi, që shkaktoi gjithë këtë situatë përplasjesh të institcioneve më të larta në vend.
Edhe pse nuk përmendet emri i drejtuesit të KED, Ardian Dvorani, në raport thuhet se goditja më e rëndë është situata antikushtetuese e krijuar me dërgimin e listave për anëtarët e Gjykatës Kushtetuese.
Sipas Komisionit të Venecias, dërgimi nga ana e KED-së te Presidenti i dy listave njëkohësisht, dërgimi i listave në Parlament, 6 ditë më vonë, dhe numri i kufizuar i kandidatëve, vetëm 6 për katër vende vakante “krijoi një situatë në të cilën të gjitha emërimet, përveç emërimit të zotit Muçi, ishin bërë potencialisht në një mënyrë antikushtetuese”.
Po ashtu në raport flitet edhe për atë që është etiketuar si bunkerizimi i KED nga Dvorani.
Sipas Komisionit të Venecias, një nga elementët më të rëndësishëm të KED është transparenca, për të pasur besimin e publikut për procesin e emërimeve. Por me miratimin e një rregulloreje të brendshme, KED përjashtoi nga pjesëmarrja në procesin e vlerësimit të kandidatëve Avokatin e Popullit.
Sipas “Venecias”, ky nen i rregullores së KED, duhet ndryshuar. Po ashtu, “Venecia” konstaton shkelje, edhe për mospublikimin e procesverbaleve të mbledhjeve të KED, që kërkohet me ligj.
Pas hartimit të listave nga KED për dy emërime në Gjykatën Kushtetuese, që duhet të bënte Presidenti dhe dy të tjerë, që duhet të bënte parlamenti, sipas Komisionit të Venecias, “është e qartë që data e dërgimit të listave do të kishte pasoja të rëndësishme për shkak të afatit 30 ditor të zgjedhjes së kandidatëve”.