Raporti nga DASH, PD: Shteti i kapur nga Rama, koha për zgjedhje të lira dhe qeveri teknike në Shqipëri
Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit për Partinë Demokratike është skaner i qartë se shteti është i kapur nga kryeministri Edi Rama. Deputetja e PD-së, Dhurata Çupi në një deklaratë nga selia blu pohoi se shqiptarët meritojnë zgjedhje të lira dhe jo Ramën kryeministër. Ajo bëri thirrje se vendi ka nevojë për zgjedhje të lira dhe qeveri teknike.
“Në skanerin e fundit të Departamentit të Shtetit Amerikan,qeveria e Edi Ramës, rezulton, jo për herë të parë, si ndër më të korruptuarat. Biznesi në Shqipëri, thuhet në raport, operon në një mjedis të rrezikshëm për shkak të korrupsionit. Propaganda e qeverisë nuk e fsheh dot problemin e madhtë mungesës së konkurrencës së ndershme për shkak të tenderave korruptivë të paracaktuar.
Me Edi Ramën kryeministër gjithçka është vendosur në dispozicionin e pushtetit personal, që nga shteti i kapur në çdo hallkë, deri tek krimi i organizuar, që mbetet aleati kryesor i qeverisjes këta 12 vjet. Raporti i Departamentit të Shtetit vë në dukje se faktorët që dëmtojnë më shumë konkurrencën në treg janë trafiku i drogës, kontrabanda, evazioni fiskal dhe korrupsioni. Raporti amerikan nuk lë pa cekur as plagën e shpopullimit.
Emigrimi i të rinjve dhe i profesionistëve ka në bazë korrupsionin e qeverisë. Ka një mënyrë për t’i dhënë fund korrupsionit kapilar, që nis nga maja e qeverisë. Janë zgjedhjet e lira, të pandikuara nga korrupsioni qeveritar dhe partneri i tij kryesor, krimi i organizuar. Një qeveri teknike, që përgatit zgjedhje të lira është interesi më i lartë i shqiptarëve”.