Raporti për korrupsionin, Xhixho: LSI-ja ka detyrimin t’i rikthejmë shpresën qytetarëve. Qeveria të mos punojë për klientët e kryeministrit

Nënkryetarja e LSI-së, Erisa Xhixho thotë se partia është e angazhuar për zero tolerancë ndaj korrupsionit, ku të gjithë duhet të jenë të barabartë përpara ligjit. Në një konferencë për shtyp, ku komentoi raportin e Organizatës Transparency International për indeksin e perceptimit të korrupsionit në botë, ajo tha se LSI-ja ka detyrimin t’i rikthejmë shpresën dhe besimin qytetarëve tek një vend ku funksionon shteti ligjor, demokracia dhe liria e votës. ”Qeveria duhet të punojë për qytetarët dhe jo për klientët e kryeministrit”.

Deklarata e plotë 

Të nderuar qytetarë, jemi në këtë komunikim me ju për raportin e Organizatës Transparency International për indeksin e perceptimit të korrupsionit në botë. Shqipëria mbetet i vetmi vend në rajon që ka pësuar rënie në krahasim me vitin e kaluar.
Kultura e pandëshkueshmërisë, shkelja e të drejtave të njeriut, përdorimi i pandemisë për të forcuar autoritarizmin dhe përdorimi i saj si justifikim për të reduktuar mbikëqyrjen dhe llogaridhënien për prokurimet publike dhe shpenzimet e ndihmës së huaj, duke lejuar që korrupsioni të përhapet gjerësisht ne te gjitha nivelete e qeverisjes.

Dhe në kohë pandemie, kjo qeveri kishte merak të jepte tendera sekretë dhe të paguante PPP-të dhe inceneratorët duke mos rimbursuar barnat e të sëmurëve apo ofruar shërbim cilësor shëndetësor për qytetarët.

Kjo qeveri, që prishi Teatrin Kombëtar në mes të pandemisë dhe përdori dhunën për të shtypur reagimin qytetar me reagim shproporcional të forcave të rendit ndaj qytetarëve me qëllimin për të ndaluar protestat e tyre.

Pa zgjedhje të lira dhe të ndershme nuk mund të kemi luftë kundër korrupsionit dhe kjo u dëshmua edhe në raportin e Transparency International. Pa një sistem drejtësie të paanshëm, profesional dhe të pa kapur nuk mund të kemi luftë kundër korrupsionit. Në një vend ku zyrat e tatimeve përdoren si kamzhik ndaj biznesit duke e trajtuar atë si armik dhe jo partner për zhvilllimin e ekonomisë së vendit.

Ndërkohë, që i gjithë rajoni përmirëson indeksin e perceptimit të korrupsionit, kjo qeveri ka përgjegjësinë që vendi është i zhytur në korrupsion gjë që ka sjellë humbjen e shpresës së qytetarëve për të ndërtuar të ardhmen këtu dhe shpopullimi i vendit është sot një fatkeqësi kombëtare. Lëvizja Socialiste për Integrim është e angazhuar për zero tolerancë ndaj korrupsionit, ku të gjithë të jenë të barabartë përpara ligjit.

Ne kemi detyrimin t’i rikthejmë shpresën dhe besimin qytetarëve tek një vend ku funksionon shteti ligjor, demokracia dhe liria e votës. Qeveria Shqiptare duhet të punojë për qytetarët dhe jo për klientët e kryeministrit.

SHKARKO APP