Reagim i ashpër i PPE: Rama minoi zgjedhjet. Presidenti të kthejë ligjet e miratura sot

Eurodeputeti Michael Gahler, Përfaqësues për Politikën e Jashtme në PPE, ka reaguar ashpër për votimin e sotëm në Parlament nga qeveria “Rama”.

Michael Gahler thotë se ndryshimet e sotme në Kodin Zgjedhor minojnë zgjedhjet dhe vënë në pikëpyetje serioze integrimin e Shqipërisë në BE. Ai i bën thirrje Presidentit Ilir Meta të mos i dekretojë ligjet e sotme të miratuara nga qeveria “Rama”.

“Me votimin e sotëm për të shkelur marrëveshjen e 5 qershorit, të ndërmjetësuar nga BE-së, Kryeministri shqiptar Edi Rama hodhi një hije të errët mbi zgjedhjet e përgjithshme të prillit të ardhshëm, që supozohej të ishin të lira dhe të ndershme dhe më demokratike se të mëparshmet. Me këtë votim, Rama qartë pengon integrimin e Shqipërisë në BE. Më saktë, shkelja e marrëveshjes së 5 qershorit mund të shtyjë Konferencën e parë Ndërqeveritare si hapin e parë për fillimin e negociatave reale të pranimit në BE.
Shqipëria meriton shumë më mirë se kaq. Ne i bëjmë thirrje Presidentit të Shqipërisë ta kthejë ligjin e sotëm në Parlament. I bëjmë thirrje Kryeministrit Rama të rishikojë pozicionin e tij për hir të së ardhmes evropiane të popullit shqiptar.”,
– deklaron Gahler.

Kjo është deklarata e parë që vjen nga ndërkombëtarët për shkeljen e marrëveshjes së 5 qershorit dhe kërcënimin e qeverisë ndaj zgjedhjeve. PPE është grupimi më i madh politik i Parlamentit Europian.

Lexoni edhe…

SHKARKO APP