Reagime nga politika për hapjen e grupkapitullit të parë BE-Shqipëri

Rrugëtimi i Shqipërisë drejt Bashkimit Europian do të kalojë në fazën e tij praktike këtë të martë (15.10) me hapjen e negociatave për grup kapitullin e parë, që ka të bëjë me të drejtat themelore.

Hungaria, e cila mban presidencën gjashtëmujore të BE-së, ka thirrur Konferencën Ndërqeveritare, pasi vendet anëtare të bllokut u dakortësuan se Shqipëria i ka përmbushur kushtet e nevojshme për hapjen e grupkapitullit të parë. Takimi mbahet në Luksenburg, ku është i pranishëm edhe ekipi shqiptar i kryesuar nga kryeministri Edi Rama.

Funksionimi i institucioneve demokratike

Nisja e negociatave për anëtarësim në BE do të thotë një proces i cili shoqërohet me transformimin politik, ekonomik dhe social të vendit. Sipas metodologjisë së re të procesit të zgjerimit të BE-së, kapitujt që kanë të bëjnë me të drejtat themelore dhe sundimin e ligjit hapen të parat, pasi për to kërkohet me shumë kohë për t’i përmbushur kriteret.

Grup kapitulli i parë përfshin disa fusha thelbësore, si drejtësia, gjyqësori, funksionimi i institucioneve demokratike, prokurimi publik, si dhe reforma e administratës publike. Do të jetë progresi në këtë grup që do të përcaktojë edhe ritmin e përgjithshëm të negociatave. Ky është kapitulli i parë nga 33 në total që Shqipëria duhet t’i hapë dhe mbyllë për t’u anëtarësuar në BE.

Sipas drejtorit Ekzekutiv të Lëvizjes Europiane në Shqipëri, Gledis Gjipali, ky proces e sjell Shqipërinë më pranë politikave dhe tregut të përbashkët të Bashkimit Europian. “Institucionet shqiptare do të mund të punojnë dhe të fokusohen në arritjen e standarteve që kërkohen nga procesi” – shprehet Gjipali për DW Shqip, duke shtuar se “Shqipëria tashmë do të ketë akses në programe dhe fonde të BE-së gjatë negociatave, ende pa u bërë një vend anëtar”.

Reagime për hapjen e negociatave

“Shqipëria duhet të jetë pjesë e Bashkimit Europian dhe duhet të ishte pjesë edhe tani” – u shpreh Kryeministri hungarez, Viktor Orban, gjatë një konference të përbashkët për shtyp me homologun shqiptar, Edi Rama, teksa shtoi se “fatkeqësisht ne po shikojmë pengesa politike dhe është shumë e vështirë për t’i kaluar këto probleme”. Orban tha se Hungaria, që aktualisht mban edhe Presidencën e Këshillit të BE-së, është pro fqinjësisë së mirë, dhe se i mirëpret vendet e Ballkanit Perëndimor në familjen europiane.

Ndërsa Ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Silvio Gonzato, e cilësoi këtë një fazë kritike në rrugën drejt anëtarësimit në BE. “Shpresoj që në parlament integrimi europian të konsiderohet nga të gjitha forcat politike si një prioritet kombëtar strategjik. – u shpreh Gonzato gjatë një takimi me institucionet e pavarura, duke thkesuar më tej rëndësine që ka “dialogu dhe bashkëpunimi mes institucioneve në këtë moment”. Sipas ekspertit të çështjeve evropiane, Gledis Gjipali, ekziston rreziku që lodhja nga reformat të sjellë mosqëndrueshmëri dhe vështirësi në zbatimin e legjislacionit dhe të kërkesave që vijnë nga BE. “Po ashtu polarizimi politik mund të sjellë sërish kosto në proces” – shprehet eksperti. Ndërsa në aspektin e jashtëm Gjipali sheh si pengesë mënyrën e e vendimarrjes në BE, pasi “aplikimi i instrumentit të vetos nga shtete të ndryshme anëtare mund të krijojë përsëri vonesa e pengesa”.

Shqipëria drejt BE-së, një rrugëtim me sfida

Shqipëria nuk arriti për afro dhjetë vjet që të kishte një datë faktike për çeljen e negociatave me Bashkimin Europian. Aplikimi për anëtarësim në BE u bë në prill të vitit 2009, dhe vetëm në qershor të 2014 arriti që të merrte statusin e vendit kandidat. Por për çeljen e negociatave fillimisht duhet të plotësoheshin një seri kushtesh, me në krye ato të Bundestagut gjerman. Me tej ky proces u pengua nga veto e Francës dhe e Holandës, që shfaqën skepticizmin dhe prentendimet e tyre për rezultate të pakta në luftën ndaj krimit dhe korrupsionit në vend.

Shqipëria shpresonte të ulej në tryezën e negociatave në vitin 2021, por këtë herë pengesa erdhi nga Bullgaria, që ngriti veton ndaj Maqedonisë së Veriut, me pretendimin e një konflikti dypalësh mbi historinë dhe gjuhën. Tashmë me vendimin për hapjen e kapitullit të pare të negociatave, Shqipëria do të vijojë e vetme rrugëtimin në të cilën joformalisht ndodhej së bashku me Maqedoninë e Veriut.

Për herë të parë Shqipëria vendosi marrëdhëniet diplomatike me Komunitetin Europian në vitin 1991, fill pas rënies së sistemit komunist. Rreth 10 vite me vonë, në vitin 2000 u njoh zyrtarisht nga Unioni si një vend kandidat potencial, ndërsa në 2006 u arrit të përmbyllej procesi i negociatave rreth Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit. DW

SHKARKO APP