Reagon Agron Gjekmarkaj pas humbjes së PD-së në Kukës
Agron Gjekmarkaj, deputet i PD dhe nënkryetar i parlamentit, deklaroi sot pas humbujes së dukshme në Kukës: “Keqardhje për humbjen e thellë të demokrateve në Kukës të cilët kurrsesi nuk e meritonin. Kjo është humbja e fundit në një seri që s’ka të ndalur. Të gjithë faktorët opozitarë duhet të mendojnë për përgjegjësitë seriozisht dhe alternativat për të dalë nga kjo situatë. Prej kohesh kam insistuar në faktin që shoqëria nuk vjen tek ne me këtë lloj opozitarizmi që bëjmë sot dhe alternative pushteti që shfaqim para tyre për nesër.
Kush i shmanget këtij realiteti dëshiron që ky realitet të përjetësohet. Nuk e zgjidh problemin kërkimi i fajit tek tjetri duke përjashtuar veten. Vetëviktimizimi i përhershëm tek e fundit është sëmundje mendore ose hipokrizi. Të gjithë jemi fajtorë, por fajtori më i madh është ai ose ata që nuk e pranojnë fajësinë. Përsa me përket mua ndjesë demokrateve duke ju garantuar që nuk do resht së thëni të vërtetën edhe kur ajo djeg”, ka deklaruar deputeti i PD-së, Agron Gjekmarkaj.
Humbja edhe në Kukës, pas skandalit të kryetarit të bashkisë, Safet Gjici që ishte i PS, tregon se PD dhe opozita ka probleme serioze brenda vetes dhe për të bindur elektoratin e shkatërruar nga lufta brenda llojit.