Reagon avokati i Xhelal Mziut
Avokati i Xhelal Mziut, Genc Gjokutaj, nëpërmjet një deklarate për mediat, ka theksuar se“kurrë më parë” nuk është ndeshur me një çështje të tillë ndaj një klienti të tij, “pa themel dhe pa prova”.
“Dosja e prokurorisë ka të meta dhe nuk janë hetuar aspak faktet”, deklaroi avokati i kryebashkiakut të Kamzës ditën e shtunë.
“Do të shkojmë në Gjykatën e Apelit, kam besim se do i japë zgjidhje kësaj çështjeje të paprecedentë”, shtoi Gjokutaj.
Pas një viti nën shqyrtim gjyqësor, kryebashkiaku i Kamzës Xhelal Mziu dhe dy zyrtarë të tjerë të kësaj bashkie u konsideruan fajtorë nga Drejtësia, për abuzimet me tenderët e rrugëve në këtë njësi vendore.
Xhelal Mziu u dënua nga Gjykata e Shkallës së Parë me dy vjet burgim, ndërkohë që po për 6 muaj iu hoq e drejta për të ushtruar funksione publike. Dy të pandehurit e tjerë të kësaj bashkie, Atli Hoti dhe Bujar Loshi, u dënuan me 6 muaj heqje lirie.
Çështja u zbulua pas kallëzimit të firmës “Gjoka”, e cila vuri në lëvizje organet e hetimit, pas pretendimeve të kësaj shoqërie se ishte skualifikuar pa të drejtë nga tenderi, pavarësisht ofertës së ulët me të cilën kishte garuar.
Nga veprimet hetimore, sipas prokurorisë, gjithashtu në këtë çështje i ishte shkaktuar dëm ekonomik edhe shtetit, pasi në procedurën e tenderimit ishte pranuar oferta më e lartë e një firme tjetër. Sipas të njëjtit qëndrim, në një rast kishte fituar tenderin, por ishte shmangur gjatë vitit 2013 për të lidhur një kontratë, në mënyrë që të fillonte punimet, ndonëse disa herë ishte tentuar të komunikohej me dy të bashkakuzuarit dhe me Mziun. Nga veprimet hetimore rezultoi se, pavarësisht që firma në fjalë ishte shpallur fituese, punimet i ishin besuar një firme tjetër.