Reagon Baftjar Zeqo për akuzat: Nuk duan që të rikandidoj për kryebashkiak

Kryebashkiaku i Fierit Baftjar Zeqo i ka konsideruar si politike akuzat e ngritura nga prokuroria për shpërdorim detyre në lidhje me banesat sociale.

Në një reagim, një ditë pasi Prokuroria depozitoi në Gjykatë dosjen ndaj Kryetarit të Bashkisë së Fierit dhe disa shtetasve të tjerë, Zeqo tha se nuk ka asnjë shpërdorim detyre në lidhje me banesat sociale dhe se është zbatuar ligji.

“Flitet për një sulm të turpshëm që bën prokuroria ndaj kryetarit, ndaj komisionit ose ndonjë tjetri, sepse është një çështje që është sqaruar para dy vjetësh dhe fillon rihapet në këtë moment, unë e kam konsideruar një çështje të sqaruar.

Nuk është një çështje për t’u hapur, s’flitet fare për falsifikim, falsifikim do të thotë që kryetari të ketë vënë dorë mbi një dosje, unë nuk kam parë asnjë dosje të familjarëve që kanë bërë kërkesë për strehim.

Për mua është një sulm ndaj rikandidimit, por rikandimi im s’është etje për të vazhduar detyrën e kryetarit të Bashkisë.

Kush do të jetë kandidati s’është çështja ime personale, por është marrëveshje që do të arrihet nga PS në bazë dhe në qendër.

Në mënyrë të padiskutueshme do të jem shumë serioz ndaj kësaj çështje që ka hapur prokuroria. Nuk është akuzë e rastësishme por është e qëllimshme mbas dekretit të Nishanit për zgjedhjet e ardhshme të pushtetit lokal”, tha Zeqo. 

SHKARKO APP