Reagon Dzanashvili: Rama, Meta e Berisha më njohin. I kam takuar në Shqipëri e Izrael

 

Amiran Dzanashvili, biznesmeni rumun që po hetohet në Rumani për prostitucion dhe në Shqipëri për pastrim parash, ka reaguar ndaj shkrimeve në disa media dhe deklaratave të bëra nga disa politikanë të opozitës. Reagimi i tij vjen një ditë pasi lapsi.al publikoi dokumenta që vërtetonin se Dzanashvili kishte angazhuar si përfaqësuese ligjore të tij, Ajola Xoxën, bashkëshorten e kandidatit të mazhorancës për Bashkinë e Tiranës, Erion Veliajt. Emri i saj figuron mes 4 përfaqësuesve. Dzanashvili, në një deklaratë drejtuar mediave në Shqipëri thotë se atë çfarë raporton media në Shqipëri apo deklaratat e bëra nga ish –kryeministri Berisha, se ai ka financuar fushatën elektorale të Edi Ramës në vitin 2013, nuk qëndrojnë. Ai mohon të jetë përfshirë në pastrim parash dhe thotë se ndaj tij po hidhet baltë. Dzanashvili sqaron se ai ka bërë biznes të rregullt në Shqipëri dhe se për këtë ka paguar rregullisht taksat dhe nuk ka marrë ende fitime nga investimet. Gjithashtu ai sqaron se është takuar me Edi Ramën në Shqipëri dhe Izrael, me Sali Berishën dhe me Ilir Metën, po në Shqipëri e në Izrael. Sipas tij, ai ka ndihmuar që në Shqipëri të vijnë investitorë të huaj. Dzanashvili shprehet se ai po bëhet pjesë e luftës politike, pa të drejtë. Sqaron gjithashtu se është nën hetim në Rumani, por nuk ka akuza konkrete kundër tij dhe nuk është në burg. Përsa u përket aksioneve të blerjes së kompanisë Xhoi Lloto, Dzanashvili garanton se ai ka bërë thjesht biznes dhe se nuk e dinte ë Mark Frroku ishte i përfshirë në ngjarje kriminale. Thotë gjithashtu se nuk e ka mik Mark Frrokun. Lapsi.al ka cituar burime të prokurorisë, sipas të cilave, në Shqipëri Dzanashvili nuk po hetohet vetëm për transaksionet në blerjen e aksioneve të Xhoi Lloto, por edhe për dhjetëra raste të blerjes së disa kompanive, të cilat për prokurorinë kanë ngritur dyshime për pastrim parash.

SHKARKO APP