Reagon Lulzim Basha për Kullën që po trondit politikën
Aktualitet Politikë E Hënë, 7 Gusht 2023 12:42
Nga Lulzim Basha-
Mali i korrupsionit në qendër të Tiranës i mbuluar nga “omertà” e bashkëfajësisë mafioze, është një karshillëk ndaj të gjitha institucioneve që kanë për detyrë të mos lejojnë që Shqipëria të kthehet në një parajsë për pastruesit e parave dhe miqve të tyre në politikë dhe nga ana tjetër e shndërron vendin tonë në një ferr pandershmërie dhe pandëshkueshmërie për qytetarët që kërkojnë standarde europiane për të ndërtuar jetët e tyre dhe familjeve të tyre.
Kjo “omertà”, ky kod i heshtjes, prodhon një ekonomi të deformuar, që nuk pasqyron forcat normale të tregut, që gjymton konkurrencën, iniciativën e lirë, besimin te institucionet, të cilat shihen si legjitimuese të krimit dhe korrupsionit.
Detyra jonë si Parti Demokratike është të mposhtim këtë heshtje shurdhuese që dëmton interesin publik, sa herë interesat e kastës 33 vjeçare bëhen bashkë si dy duar që lajnë fytyrat e nxira nga korrupsioni.
Prandaj sot dua të përsëris mbështetjen time dhe të Partisë Demokratike ndaj SPAK-ut, mbi të cilin bie barra e rëndë e hetimit dhe ndëshkimit të të gjithë atyre që e kanë kthyer Shqipërinë në një lavatriçe të pastrimit të parave, e cila nuk dëmton vetëm ekonominë, por edhe trashëgiminë, kujtesën historike, hapësirën publike, të kthyera në plaçkë për fare pak njerëzve.
Pastrimi i politikës përmes vetting-ut, është domosdoshmëri për t’i dhënë fund epokës së korrupsionit, që politikanët të mos jenë në shërbim të oligarkëve dhe interesave kriminale, por t’u shërbejnë qytetarëve dhe interesit publik.
KOHA JONË SONDAZH

