Reagon Spahiu: Vota ime ka qenë dhe do jetë e LSI-së

“Pavarësisht vendimit të grupit, vota ime ka qenë dhe do të jetë e LSI-së!”.

Ky është reagimi i deputetit Përparim Spahiu pak minuta pasi grupi parlamentar vendosi përjashtimin e tij.

“Grupi parlamentar i LSI vendosi përjashtimin e deputetit Përparim Spahiu si anëtar i grupit parlamentar të LSI për shkak të qëndrimeve personale të përsëritura të cilat nuk kanë qenë në pajtim me vendimet e Kryesisë dhe grupit parlamentar të LSI. Qëndrimi më i fundit personal i deputetit Spahiu që lidhet me reformën në drejtësi u vlerësua si i gabuar dhe i nxituar, njëkohësisht në kundërshtim të plotë me qëndrimet tepër parimore dhe koherente të LSI për reformën në drejtësi”, argumentoi kreu i grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili, në përfundim të mbledhjes arsyet e përjashtimit të Spahiut.

Kujtojmë se në një postim në Twitter deputeti i LSI, Përparim Spahiu paralajmëroi dy ditë më parë se nuk do të votonte reformën në drejtësi në rast se në të parashikohet udhëheqja e procesit të vlerësimit të gjyqtarëve nga ndërkombëtarët. Për LSI ky ishte qëndrim personal jo në pajtim me vendimet e grupit.

SHKARKO APP