Reagon Taulant Balla për operacionin e Policisë së Shtetit dhe SPAK-ut

Në vijim reagimi i plotë i ministrit të Brendshëm, Taulant Balla: 

Dje pasdite dhe gjatë natës Policia Shtetit ka finalizuar një operacion kompleks të goditjes së krimit të organizuar të përshirë në krime kundër personit dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike, rezultat konkret i hetimeve profesionale nën drejtimin e Prokurorisë Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Përgëzoj drejtuesit dhe pjesëmarrësit e Policisë së Shtetit në këtë operacion, për profesionalizmin e lartë dhe mbi të gjitha për sigurinë e plotë të informacionit sensitiv deri në finalizimin e operacionit që çoi në arrestimin e të gjithë personave që ndodhen në Shqipëri. Ndërsa vijon puna për gjetjen dhe ndalimin e personave të tjerë që ndodhen jashtë territorit të Shqipërisë.
Gjej rastin t’i falenderoj dhe përgëzoj prokurorët për besimin dhe bashkëpunimin. Në rrjetën e këtij bashkëpunimi kanë rënë eksponentë të krimit të organizuar, zyrtarë dhe ish-zyrtarë të Policisë së Shtetit si dhe persona të tjerë bashkëpunëtorë me ta.
Ky operacion domethënës është konsolidimi i ngritjes në një nivel tjetër të vullnetit të agjencive tona ligjzbatuese për ta goditur krimin në të gjithë spektrin e tij, në funksion të rendit ligjor në të gjithë territorin.
Sot gjej rastin të rikonfirmoj besimin e plotë se forcimi i bashkëpunimit mes agjencive ligjzbatuese dhe lufta e përbashkët në vetë-pastrimin e Policisë së Shtetit, do ta çojë Shqipërinë në një tjetër nivel të sundimit të ligjit.

SHKARKO APP