Referendumi për mbetjet, Ristani: Çdo mundësi të bëhet brenda afateve
PD përmes Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Demokratike Arben Ristani, hedh dritë mbi nismën e saj për një referendum mbi ligjin e mbetjeve, për të cilin thotë se duhet vetëm vullnet politik. Por afatet ligjore janë nën presion nga zgjedhjet e ardhshme parlamentare. 9 marsi është afati i fundit kur referendumi mund të zhvillohet, pasi kodi zgjedhor ndalon çdo proçes 6 muaj para se të mbarojë mandati i Kuvendit. Zyrtari demokrat është skeptik nëse kërkesa e opozitës do të pranohet nga shumica. Por cilat janë rrugët që ndiqen për një referendum të përgjithshëm siç është ai i kërkuar për mbetjet?
Partia Demokratike është e vendosur të kundërshtojë dhe të përdorë çdo mjet për të anuluar ligjin për menaxhimin e integruar të mbetjeve.
Kodi zgjedhor përcakton se një referendum i përgjithshëm nuk mund të zhlvillohet gjashtë muaj para përfundimit të mandatit të Kuvendit, ku në rastin aktual i bie data 9 mars, por Sekretari i Përgjithshëm, Arben Ristani, në një intervistë për Ora News thotë se nëqoftëse ekziston vullneti i mirë politik, të gjitha afatet ligjore dhe kohore janë të arritshme për zhvillimin e referendumit.
“Është një procedurë që shumë shpejt do të kalojë në Parlament. Parlamenti duhet të vendosi që të pranojë referendumin dhe në një rast të tillë, afatet ligjore janë të gjitha të mundshme që brenda marsit të vitet që vjen referendumi të jetë i kryer. Por sigurisht që e gjitha do vullnetin e mirë”- shprehet Arben Ristani.
Por ai është i vetëdijshëm se Kryeministri do të përdorë çdo mundësi për të rrëzuar kërkesën e tyre në Kuvend, pasi sipas tij Rama është i kapur nga mafia dhe për këtë arsye riktheu këtë ligj.
“Tashmë Rama është vendosur kundër interesit popullor, i kapur nga interesat e bandave të krimit dhe të mafias. Ai u detyrua ta risjellë ligjin e plehrave në parlament për ta bërë ligj dhe për t’i ridhënë mundësi mafias të plehrave që të depozitojnë në Shqipëri mbetjet e saj” – tha Ristani.
Por në kushtet kur kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar rrëzimin e kërkesës për referendum, çështja komplikohet, dhe Partia Demokratike ka menduar një plan B.
“Një hap i dytë do jetë që të ftojë popullin të mbledhi firma në rast se Rama do të rrëzojë referendumin për ta realizuar referendumin. Është një hap i sigurtë por që do ta vonojë cështjen duke e kaluar një vit më vonë’- thekson deputeti demokrat.
Në qoftë se opozita nuk do t’ia dalë që ta anullojë këtë ligj duke përdorur hapësirat kushtetuese dhe ligjore, atëherë aksioni i radhës do të jenë protestat.
Por cilët janë rrugët kushtetuese dhe ligjore që ndiqen për një referendum të përgjithshëm?
Kushtetuta përcakton dy rrugë për të çuar vendin në një referendum popullore.
E para: Kuvendi, me propozimin e jo më pak se një së pestës së deputetëve, që në këtë rast i bie 28 firmëtarë ose me propozimin e Këshillit të Ministrave, mund të vendosë që një çështje ose një projektligj i një rëndësie të veçantë të shtrohet në referendum. Që nisma të konkretizohet, ajo duhet të marrë miratimin e shumicës parlamentare.
Ndërsa rruga e dytë është ajo që lidhet me qytetarët. Populli, nëpërmjet 50 mijë shtetasve me të drejtë vote, ka të drejtën e inicimit të një referendumi të përgjithshëm.
Në të dy rastet është Gjykata Kushtetuese që shqyrton kushtetueshmërinë e çështjeve për të cilat populli duhet të vendosë.
KOHA JONË SONDAZH

