Reforma e pagave, Rama: Nëntetari do paguhet 94 mijë lekë! Nuk do jemi më të fundit e rajonit

Në kuadër të rritjes së pagave, mësohet se paga e një nëntetari në vitin 2024 do të arrijë në shifrën e 94,540 lekëve. Kryeministri Edi Rama thotë se synimi është t’i afrohen mesatares së NATO-s. Në një postim në Facebook, Rama thekson se pagat e Ushtrisë Shqiptare ishin për një kohë të gjatë një arsye për t’u ndjerë keq për trupat e Forcave të Armatosura, por nuk kishin asnjë rrugë tjetër përveçse të çonin përpara ndryshimet e domosdoshme, pa të cilat pagat nuk mund të rriteshin siç duhej dhe siç e dëshironin të gjithë.

Postimi i plotë

Pagat e Ushtrisë Shqiptare ishin për një kohë të gjatë një arsye për t’u ndjerë keq për trupat e Forcave të Armatosura, por s’kishim asnjë rrugë tjetër përveçse të çonim përpara me këmbëngulje e durim ndryshimet e domosdoshme, pa të cilat pagat nuk mund të rriteshin siç duhej dhe siç e dëshironim të gjithë.

Tanimë kushtet kanë ndryshuar shumë dhe ushtarakët tanë nuk janë më të fundit e rajonit për nivelin e pagave të tyre, përkundrazi, ata kanë paga ndër më të lartat të cilat do të vazhdojmë t’i rrisim drejt mesatares së NATO-s.

PAGAT E REJA, falë të cilave paga mesatare në Shqipëri thuajse dyfishohet duke arritur majën historike të 900Eurove në 2024, janë frut i një përpjekjeje të gjatë, këmbënguljeje e durimi të madh për reforma të vështira e masa të domosdoshme për ekonominë dhe për financat tona.

Rritjeje të të ardhurave falë rritjes së ekonomisë, tregtisë, investimeve publike e private, rritjes së prodhimit e të eksporteve, modernizimit të sistemit të mbledhjes së taksave përmes kompjuterizimit të transaksioneve në kohë reale, lehtësimit e rritjes së shpejtësisë së shërbimeve për biznesin falë digjitalizimit të tyre, forcimit të shtetit në tërësi dhe uljes së ndjeshme të korrupsionit në tatime e dogana, po mbi të gjitha, PAGAT E REJA janë frut i punës sonë të përbashkët, të çdo shqiptari e shqiptareje, që në shtet a në privat, kontribuon për ekonominë shqiptare me punën e vet.

SHKARKO APP