Reforma, KVV: Financat e partive, adreson tërë spektrin e problematikave të korrupsionit zgjedhor
Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë depozitoi pranë Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore draft-opinionin e tij lidhur me amendimet e nevojshme të Kodit Zgjedhor, sa i përket kuadrit ligjor që rregullon dhe siguron transparencën e financave të partive politike. Për KVV-në koha që partitë kanë në dispozicion partitë politike për të realizuar reformën zgjedhore është e pamjaftueshme, dhe për rrjedhojë do të prodhojë ndërhyrje pak të menduara dhe të hartuara nxitimthi.
“Të gjendur në më pak se 8 muaj nga mbajtja e zgjedhjeve të pritshme parlamentare të qershorit 2017, një reformim integral dhe thelbësor i kuadrit ligjor zgjedhor tanimë është i pamundur për t’u ndërmarrë. Kjo bazuar në kufizimin e vendosur nga opinionet e Komisionit të Venecias dhe vendimmarrja e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, të cilat shprehen për ndalimin e ndërhyrjeve thelbësore në kuadrin ligjor zgjedhor në periudhën një vjeçare që paraprin mbajtjes së zgjedhjeve. Nga ana tjetër, periudha tepër e shkurtër në dispozicion në kontekstin e kapaciteteve në vend, si dhe të klimës së konfliktit të politik, i përjashtojnë kategorikisht ndërhyrje të tilla të cilat përpos se do të jenë pak të menduara dhe të hartura në nxitim, nuk do gjejnë kohën dhe kapacitetet për t’u vënë në zbatim”- thuhet në opinion.
Në këtë situatë të momentit të fundit, KVV gjykon se e vetmja mundësi për një ndërhyrje të thelluar të tanishme në përmirësimin e kuadrit ligjor zgjedhor është çështja e rregullimit të financave të partive politike.
“Ky sugjerim vjen jo vetëm sepse operativisht amendimet për këtë objekt të kuadrit ligjor janë institucionalisht të centralizuara dhe nuk kërkojnë procese madhore, si në burime materiale ashtu dhe njerëzore, por edhe sepse është adresimi më direkt në gjenezën e problematikave që vuajnë proceset zgjedhore në vend. Adresimi i fenomeneve si fushata zgjedhore hije, vullnetarizimi, dhurimet në natyrë, konflikti i interesit të donatorëve, dhe të tjera do të ishin hapat më konkretë në luftën kundër përfshirjes së interesave jashtëligjshme në përfaqësimin politik”- shprehet KVV.
Për Vëzhguesit Vendorë çështja e financave të partive politike në ligjërimin politik dhe zgjedhor, është thelbësore, pasi trajtimi në mënyrë të thelluar i problematikës së kësaj çështje adreson gati tërë spektrin e problematikave të korrupsionit zgjedhor, si dhe fuqizimin e vendimmarrjes së qytetarëve në proceset zgjedhore. Në këtë drejtim, dokumenti përpiqet të paraqesë edhe modele të përvojave më pozitive që shërbejnë për t’u marrë në konsideratë.
DOKUMENTIN e plotë në formatin .pdf e gjeni bashkëlidhur ose mund ta shkarkoni KËTU .
KOHA JONË SONDAZH

