Reforma në Drejtësi, Fatmir Xhafaj ka kritika për Kuvendin dhe të huajt

Fatmir Xhafaj, njeriu kryesor dhe themelues i Reformës në Drejtësi ka folur sot. Deputeti i PS-së thotë se Kuvendi nuk e ka luajtur siç duhet këtë rol.

”Ka disa aktorë që janë të përfshirë, por rolin kryesor e ka Kuvendi, se është pushteti që ka mundësinë e ndikimit më të vogël ose më saktë që e riskon më pak kontrollin mbi organet e drejtësisë. E dyta se reforma zhvillohet në Kuvend dhe ka privilegjin e ndryshimeve kushtetuese e ligjore, dhe nga ana tjetër organet e reja informojnë para Kuvendit. Këto e bëjnë Kuvendin aktorin kryesor të zbatimit të reformës në drejtësi dhe megjithë përpjekjet që janë bërë, Kuvendi nuk e ka luajtur këtë rol siç duhet në këto vite”.

Mosfunksionimin si duhet të Kuvendit, Fatmir Xhafaj e shikon te dështimi i ngritjes së komisionit të monitorimit dhe qasja ndaj institucioneve të reja të drejtësisë. Kritika ka edhe për misionet ndërkombëtare që asistojnë drejtësinë shqiptare, pasi sipas tij mund të kishin kontribuar shumë më mirë.

“Janë të rëndësishme edhe progres-raportet dhe deklaratat e instrumenatve të ndryshëm të BE, por më i rëndësishëm se kjo janë misionet që asistojnë drejtësinë shqiptare që mund të kishin kontribuar shumë më mirë. Euralius do të duhej ta kishte luajtur shumë më mirë këtë rol. Ajo që duhet bërë më mirë është monitorimi dhe koordinimi në parlament”,-tha në ”A2cnn”.

SHKARKO APP