Reforma në drejtësi, OSBE: Politikanët, të bien dakord
Kreu i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Florian Raunig ka deklaruar në një intervistë televizive se është momenti që politikanët të bien dakord për reformën në drejtësi.
“Tani, pas gjithë asaj pune që kanë bërë ekspertët, është momenti që politikanët të bien dakord. Sepse mbi këtë bazë, do të vijë radha e gjithe akteve ligjore që duhen hartuar më pas. Por një pikë e rëndësishme është zbatimi i ligjeve”, ka theksuar Raunig.
Sipas tij, procesi ka ecur shpejt, më shpejt se në vende të tjera. Prandaj, thekson ai, “ka shpresë”.
“Por, – shton ambasadori Raunig, – duhet të ketë një balancë midis shpejtësisë dhe cilësisë. Nuk mund të ecet tepër shpejt në dëm të cilësisë. Por as tepër ngadalë sepse përndryshe humbet momenti, motivimi dhe energjia për të reformuar sistemin e drejtësisë. Tani nevojitet një vendim politik për paketën e ndryshimeve në Kushtetutë. Do të vijojnë hapat e tjerë, hartimi i ligjeve dhe, më e rëndësishmja, zbatimi i tyre. Hapat që duhet të hidhen janë ende të shumtë. Energjia me të cilën është ecur deri tani është mjaft mbresëlënëse”.
Ndërsa për Byronë Kombëtare të Hetimit, ambasadori Raunig është shprehur se “e rëndësishme është që Byroja Kombëtare e Hetimit duhet të hetojë çështjet që i kalojnë Prokurorisë Speciale kundër korrupsionit. Duhet të jetë sistem funksional. Byroja duhet të jetë sa më e pavarur. Ka zëra dhe ekspertë që janë të ndarë sa i takon se nën cilin autoritet duhet të jetë. Është detyrë e politikës që ta vendosë, por e rëndësishme është që sistemi të jetë funksional dhe i pavarur”.
Për luftën kundër korrupsionit, ambasadori i OSBE-së ka theksuar se “lufta duhet zhvilluar në dy aspekte. Nga njëra anë te sistemi, te struktura e institucioneve, e administratës. Këto duhet të jenë të strukturuara në mënyrë të tillë që ta vështirësojnë korruptimin. Ana tjetër ka të bëjë me etikën, me kulturën. Këtu po punojme ne si OSBE. Bashkëpunojmë me të gjitha institucionet, në çdo institucion ka tani njësi antikorrupsion. Këto krijojnë një rrjet dhe ne po punojmë me koordinatorin kombëtar për luftën kundër korrupsionit që ta forcojmë këtë luftë. Shkojmë në Universitete dhe flasim me studentët, të rinjtë për të luftuar mentalitetin dhe kulturën e korrupsionit. Korrupsion ka në të gjithë botën, masat që po merren janë të mira, por ato nuk janë të matshme, duhet kohë që të shihen rezultatet”.
Më tej, për ligjin zgjedhor, ambasadori Raunig ka nënvizuar se “ligji ka ardhur duke u përmirësuar ndër vite. Gjithnjë ka diçka për të përmirësuar. Por konfliktualiteti politik e pengon administratën për të përgatitur në kohë zgjedhjet”.
“Kemi rreth 50 rekomandime të ODIHR që kanë dalë pas zgjedhjeve të 2013 dhe 2015. Është krijuar Komisioni i Posaçëm për Reformën e Ligjit Zgjedhor. Rekomandimet fokusohen te rritja e profesionalizmit të administratës zgjedhore dhe të depolitizimit të komisionerëve. Natyrisht në një vend mjaft të politizuar si Shqipëria, kjo nuk është një ndërmarrje e lehtë. Por më duket se jemi në rrugën e duhur. Brenda disa javëve do të mblidhet Komisioni dhe do të nisë puna për zbatimin e rekomandimeve”, ka theksuar ambasadori Raunig.
Pyetjes për listat e kandidatëve nëse duhet të jen të hapura apo të mbyllura, ambasadori Raunig i është përgjigjur se, “për të dyja sistemet ka mendime pro dhe kundër.Teoricienët e demokracisë thonë se listat e hapura i japin më shumë mundësi votuesit për të zgjedhur. Por këto nuk janë në fokusin tonë. Ky është një diskutim politik, është pjesë e debatit të brendshëm politik mes partive”.
KOHA JONË SONDAZH

