Reforma Zgjedhore, Mediu: Vendimet jo mes pak njerëzve

Mbledhja e parë e Këshillit Politik nuk e ka kënaqur Fatmir Mediun. Kreu i PR-së dhe aleati tradicional i PD-së, thotë se Reforma Zgjedhore duhet të jetë gjithëpërfshirëse dhe të mos mbetet në dëshirën e pak personave. “I kam kërkuar aktorëve kryesorë që ky këshill të ketë funksionin që duhet, në bazë të marrëveshjes që është realizuar. Unë besoj që do ta ketë një funksion të tillë sepse produkti nuk është thjesht teknik. Produkti është një marrëdhënie edhe politike. Sa më tepër pjesëmarrje të ketë në këtë vendimmarrje aq më mirë është. Kur ne synojmë të kemi aktorë nga shoqëria të involvuar në proces, besoj se involvimi i një mase më të madhe partish politike në gjykimin e një çështje, padyshim që është i rëndësishëm”,tha në “a2cnn”.

Për të shmangur një vendimmarrje përjashtimore, Mediu sugjeron që propozimet e opozitës për reformën, të dakordësohen fillimisht mes gjithë aleatëve, para se të hidhen në tryezën politike përballë mazhorancës. “Opozita duhet të konsolidojë produktin e vet, të miratojë brenda të gjitha forcave politike opozitare këtë produkt dhe pastaj të ketë një mirëkuptim edhe me pjesën tjetër të parlamentit për të arritur në një reformë zgjedhore, e cila i shërben zgjedhjeve të lira dhe të ndershme”.

Kryerepublikani ka insistuar fort në nevojën e rishikimit të sistemit elektoral, por thotë se është i gatshëm të dëgjojë të gjitha mendimet. Sipas tij, funksionaliteti i Parlamentit nuk duhet harruar. Republikanët do të angazhojnë nënkryetarin Arjan Madhi në ekipin e eksperteve nga radhët e opozitës për Reformën Elektorale.

SHKARKO APP