Reforma zgjedhore, Meta: Nevojë për progres, palët të reflektojnë
Kryetari i Kuvendit Ilir Meta tha se vendi ka nevojë për një progres në kryerjen e reformës zgjedhore. Këtë deklaratë Meta e bëri gjatë një takimi që pati me Bashkëraporterët e Komisionit të Monitorimit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Andrej Hunko dhe Joseph O’Reilly.
Meta: Vendi ka nevojë për progres në kryerjen e reformës zgjedhore në kohë dhe sipas rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it ndërkohë që të gjitha palët duhet të reflektojnë një angazhim më të përgjegjshëm politik me qëllim garantimin e standardeve bashkëkohore, legjitimitetit dhe besueshmërisë së procesit kyç të zgjedhjeve të ardhshme.
Kryeparlamentari Meta vlerësoi punën e raporterëve dhe bashkëpunimin e ngushtë me Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës në mbështetje të aktivitetit parlamentar të Shqipërisë, veçanërisht në drejtim të rritjes së standardeve të transparencës dhe forcimit të institucioneve demokratike.
Kryetari i Kuvendit Meta theksoi se në kontekstin aktual, duhet punuar më tej për implementimin pa vonesa të reformës në drejtësi dhe në këtë kuadër fokusi duhet përqendruar në krijimin e një klime sa më bashkëpunuese dhe konsensuale politike në funksion të avancimit me axhendën e reformave kyçe për integrimin evropian të Shqipërisë.
KOHA JONË SONDAZH

