Reforma Zgjedhore, Oerd Bylykbashi nga Rithemelimi: Të rikthejmë koalicionet

Deputeti i Rithemelimit, Oerd Bylykbashi thotë se opozita ka kërkesa të qarta për produktin final të këtij grupi pune. Si prioritare shihet rikthimi tek marrëveshja e 5 qershorit 2020, që do të mundësonte garimin me formulën e koalicioneve.

“Rikthimi dhe njëherë tek marrëveshja e 5 qershorit, mos-heqja e koalicionit, të japim listën e hapur të partive politike. Zgjedhësi të ketë të drejtën të zgjedhë se cilën parti brenda një koalicioni do të votojë”, tha Bylykbashi.

Kushti i dytë për demokratët është dhe zbatimi i rekomandimeve të OSB-ODIHR, pasi sipas tyre vetëm kështu mund të ketë zgjedhje të lira.

“Sekreti i votës që cenohet, liria e votës që cenohet, barazia e votës që cenohet, goditjen e shitblerjes së votës, të gjitha format e tjera të presionit siç është patronazhimi, apo përdorimi i punimeve shtetëroreve. Të gjitha këto janë pjesë e marrëveshjes së 5 Qershorit dhe rekomandimet e OSBE”, tha deputeti i PD.

Grupi i punës për reformën zgjedhore pritet që të mblidhet sërish të hënën e javës së ardhshme për të miratuar planin e punës të hartuar nga ekspertët.

SHKARKO APP