Reformë pa PD! A do të ketë jetëgjatësi?
Ekspertët e reformës në drejtësi kanë përfunduar dje punën për hartimin e ndryshimeve ligjore, pa praninë e opozitës. Juristët e pavarur, përfaqësues i organizatave ndërkombëtarë ERALUIUS dhe OPDAT që asistojnë procesin dhe përfaqësues të Partisë Socialiste kanë bërë gati dokumentin qo do t’i paraqitët komisionit të përbashkët për reformën. Por bashkë me draftin e ekspertëve, dje Ministra e Drejtësisë ka depozituar dhe një tjetër draft ku jep zgjidhje për problemet kryesore për të cilat mungon konsensusi mes politikës. Ndryshimet Kushtuese të Ministrisë së Drejtësisë prekin gjithë çështjet kryesore që kanë të bëjë me zgjedhjen e gjyqtarëve, formimin e institucioneve të reja dhe mënyrën sesi do të kontrollohet sistemi gjyqësor. Gjithashtu, drafti i Ministrisë së Drejtësisë jep zgjidhje dhe për çështjen për të cilën PS dhe PD nuk kanë gjetur marrëveshje, atë të votave në Kuvend që duhen për zgjedhjen e anëtarëve të institucioneve të reja të drejtësisë.
Konkretisht sherri mes PD dhe PS është për votat që duhen për të zgjedhur anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, por jo vetëm kaq. Partia Socialiste kërkon shumicë të cilësuar me 3/5 e deputetëve ose me 84 vota. Ndërsa Partia Demokratike mbron variantin e zgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese me 2/3 ose me 93 vota në parlament. Dokumenti i ekspertëve të Ministrisë së Drejtësisë parashikon që vendet bosh në Gjykatën Kushtetuese të plotësohen me kandidatë konsensualë, pa shumicë të cilësuar. Nëse grupet parlamentare nuk arrijnë konsensusin në Parlament, presidenti propozon për votim kandidatura alternative, një kandidat nga mazhoranca, një kandidat nga opozita dhe për ta kryhet një votim i përbashkët nga të gjithë deputetët dhe të gjithë gjyqtarët e vendit. Të dy dokumentet, ai i ekspertëve dhe ai i Ministrisë së Drejtësisë, pas shqyrtimit në komisionin e përbashkët të reformës do të dërgohen sërish në Komisionin e Venecis, i cili do të vlerësojë ndryshimet. Pas Venecias mbetet miratimi i reformës në Parlamentin Shqiptar.
Ekspertët që hartuan draftin e djeshëm thanë se kanë marrë parasysh dhe disa propozime të Ministrisë së Drejtësisë. Ndërkohë që mungesa e opozitës në këtë dokument vë në pikëpyetje vazhdimësinë e procesit politikë. Që ditën e diel ekspertët e PD-së bojkotuan tryezën e reformës për shkak të mos gjetjes së konsensusit për mënyrën e zgjedhjes së gjyqtarëve. Dje, kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha, në një deklaratë për mediat praktikisht la të kuptohej se PD-ja nuk do të pranonte një reformë që ka vetëm qëndrimet e mazhorancës. Ai tha se opozita nuk do të paraqesë draft paralel, siç ndodhi në dokumentin e parë që u dërgua në Venecia. Sipas tij, Kryeministri Edi Rama zgjedhjen e gjyqtarëve dhe kryeprokurorit e ka përcaktuar në bazë të shumicës politike.
“U zhbë formula e kompromisit të së shtunës dhe me kokëfortësi u insistua në shumicën prej 3/5 që është shumica që disponohet nga dyshja Rama -Meta. Pra mund të themi që pas një viti sorrollatje dhe tallje nga Edi Rama me opinionin publik, me faktorin ndërkombëtar, më në fund, dje Edi Rama e hoqi maskën. Është ai që nuk e do reformën në drejtësi, është ai që nuk do institucione të reformuara që luftojnë korrupsionin dhe pamundësojnë kapjen politike”,- u shpreh dje Basha.
Pavarësisht se ekspertët pretendojnë se një pjesë e propozimeve të PD-së janë përfshirë në draft, me qëndrimet e Bashës, seli blu po shkon drejt mosnjohjes së reformës. Për pasojë, edhe pse mund të kemi një reformë pas disa muajsh ajo nuk do të ketë konsensusin politik. Rreziku i një reforme vetëm me votat e mazhorancës mund të jetë efektive për aq kohë sa është në pushtet shumica aktuale. Sepse pas ndërrimit të pushteteve, serish politika do i kthehet sistemit të drejtësisë nga e para duke zhbërë aty që është ndërtuar. Kjo është absurde, ndaj ka nevojë për konsensus patjetër dhe për votim me 93 vota. Nuk është problemi se PD-ja ka qenë me e mirë para ikjes nga pushteti në raport me drejtësinë, porse problemi shtrohet që reforma të bëhet që ti rezistojë kohës , të paktën 30 vjet apo me shumë. Kjo është reformë. Në të kundërt një mazhoranca tjetër pas një viti me 84 vota e ndryshon përsëri drejtësinë dhe Kushtetutën.
Kushteta mbeti duke u arnuar sikurse çorapet e pista të politikës!
KOHA JONË SONDAZH

