Refugjatët e parë mbërritën në Shëngjin, Meta: Të ngrihemi në protestë
Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka komentuar nisjen e zbatimit të marrëveshjes Itali-Shqipëri për refugjatët, që 16 prej tyre mbërritën sot në Lezhë. Për të shqiptarët duhet të ngrihen në protestë që Shqipëria të mos kthehet në një vend konglomerat emigrantësh. ”E gjithë Shqipëria duhet të ngrihet në protestë në mënyrë që vendi të mos jetë më një vend konglomerat emigrantësh, të huajsh dhe ku të mos flitet më as gjuha shqipe. Të gjithë duhet të ngrihen në këmbë”, tha Meta. Të vonuar e quan edhe hapjen e negociatave për grup-kapitullin e parë, edhe pse thotë se është një moment i rëndësishëm për Shqipërinë.
”Nisja e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian është një moment i rëndësishëm për Shqipërinë edhe pse ekstremisht i vonuar. Ky është një sinjal i qartë, se perspektiva europiane e rajonit është e gjallë dhe mbetet alternativa e vetme për paqen, sigurinë dhe stabilitetin. E vërteta është se kemi humbur shumë kohë dhe se Shqipëria i kishte të gjitha mundësitë në këto 11 vitet në pushtet të Rilindjes që të ishte lokomotiva që udhëhiqte procesin e anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian.
E kundërta ka ndodhur pavarësisht se gotat e shampanjës për integrimin dhe çeljen e negociatave, janë ngritur disa herë dhe në fakt të gjitha rezultuan mashtrime të pacipa. Kryeministri, ministra dhe zyrtarët më të lartë të Policisë janë të implikuar direkt në trafikun ndërkombëtar të drogës dhe janë të faktuar për lidhjet e tyre të drejtpërdrejta me kartelet më të rrezikshme të narkotikëve në kontinent dhe në botë”, tha Meta.