Regjistrimi në KQZ, PD refuzon propozimin e Korab Litës, mbledh më shumë se 10 mijë firma. Kaso: Qëndrimi ynë i qartë

Djegia e mandateve nga opozita e bashkuar që prej muajsh e ka lënë atë pa deputetë në parlament dhe kjo sjell si të nevojshme për PD-në dhe LSI-në mbledhjen e 5 mijë firmave në mënyrë që këto parti të regjistrohen në KQZ. Sekretari për çështjet ligjore në PD, Ivi Kaso shprehet se PD ka mbledhur tashmë 10 mijë firma nga anëtarët e saj.

“Në bazë të parashikimeve që neni 28 ka për subjektet të cilët nuk kanë përfaqësim në parlament, duhet të paraqesin firmat, respektivisht 5 mijë firma për parti politike dhe 7 mijë firma për koalicion, një detaj burokratik i cili dhe nga ana jonë është përmbushur. Tashmë PD ka mbledhur më shumë se 10 mijë firma dhe të tjera vijojnë të vijnë për të përfunduar procesin e regjistrimit. Sigurisht nuk ishte aspak e vështirë për partinë më të madhe në vend që numëron më shumë se 100 mijë anëtarë të regjistruar”, tha Kaso

Burime për News24 thonë se deputeti i opozitës parlamentare Korab Lita iu është vetëofruar demokratëve për t’u deklaruar si deputet i PD, në mënyrë që të shmangej mbledhja e 5 mijë firmave, por nga selia blu, kjo kërkesë nuk është marrë parasysh me argumentin se ata nuk i njohin deputetët e rinj në Kuvend.

“PD dhe opozita e bashkuar e kanë bërë të qartë fare mirë qëndrimin e tyre lidhur me legjitimitetin e parlamentit që në momentin që ato kanë vendosur të djegin mandatet dhe t’i japin fund farsës parlamentare. Sigurisht një vendim i tillë është bërë publik dhe në më shumë se një rast qëndrimi i prerë dhe i shprehur publik i opozitës së bashkuar ka qenë ai i mosnjohjes së legjitimitetit të këtij parlamenti dhe nuk ka se si procesi i regjistrimit të kryhej duke u kthyer dhe duke legjitimuar kauzën që nga e opozitës së bashkuar, u bë kauza e gjithë shqiptarëve”, theksoi Kaso.

SHKARKO APP