RENEA nga Tirana arrin në Dubai. Në kërkim të kriminelëve shqiptarë?
Tashmë dihet se bosët e krimit shqiptarë ndodhen në Dubai, por asnjeri nuk i prek dot. Shqipëria nuk ka marrëveshje ekstradimi me Emiratet e Bashkuara Arabe, aty ku ndodhet kupola e krimit.
Mbrëmjen e së shtunës, një grup i forcave speciale RENEA ka mbërritur në Emiratet e Bashkuara Arabe, konkretisht në Dubai.
A është qëllimi i fluturimit arrestimi i kriminelëve shqiptarë që i fshihen drejtësisë në këtë vend? Jo. Eshtë pjesëmarrja në turneun “Uae Swat Challenge”. Bëhet fjalë për një garë ku marrin pjesë rreth 60 skuadra nga forcat speciale nga e gjithë bota.
Turneu do të mbahet nga data 20 deri më 24 shkurt, ku do të garohet në disiplina të ndryshme përkrah forcave të tjera speciale, duke nisur nga aftesitë taktike, qëndrueshmërinë fizike dhe fokusin mendor.
Ndërkohë kriminelët shqiptarë që janë në Dubai do të bëjnë tifozllëk për forcat speciale shqiptare. Si rregull RENEA është për të arrestuar bosët e krimit, por këtë herë çudia është se spektatorë në shkallët e stadiumit do të jenë pikërisht të shumëkërkuarit nga SPAK.
Mundet që duartrokitjet e bosëve të krimit shqiptarë t’ju japin zemër forcave RENEA për të fituar ndonjë kupë.
Nuk dihet nëse bosët e krimit shqiptarë do të bëjnë foto me shqiptarët e RENEA-s.