Replika dhe kundër replika mes Andi Bushatit dhe Berat Buzhalës, përplasen për kryeministrin Albin Kurti

Në fillim ishte analisti i njohur shqiptar Andi Bushati që botoi një analizë dhe mënjëherë ka reaguar analisti tjetër kosovar Berat Buzhala. Por sot në mesditë replikoi Andi Bushati.

Andi Bushati: Mediat nën “Diktaturën e Albinit” 

Nga Andi Bushati-

Në Prishtinë ka shpërthyer debati i radhës për atë që kundërshtarët e Albin Kurtit e konsiderojnë si zgjerim të tentakulave të shtetit të tij Çavist. Këtë herë shkak është bërë ndërhyrja në kuvend e një deputetje të shumicës qeverisëse, që kërkoi një kontroll më të fortë të mediave nga parlamenti dhe qeveria.

Të nxituara, të pavenda dhe të gabuara, fjalët e Fitore Pacollit shërbyen edhe njëherë si shkas për ti hedhur benzinë flakës së akuzave për një mazhorancë me mendësi totalitare, që nuk e duron dot kritikën dhe mendimin alternativ.

Sikur ato të përbënin thjeshtë një gafë të dikujt që nuk e ka të qartë ndarjen e pushteteve në një rend demokratik dhe faktin se qeveritë janë të dënuara të dëgjojnë edhe atë që u duket e padredjë, apo me të cilën nuk janë dakord, këto deklarata nuk do të kishin interes publik dhe do të shërbenin vetëm si municion për kundërshtarët e zakonshëm të Vetëvendosjes.

Por, situata nuk është kaq e thjeshtë. Ato që Pacolli tha me zë të lartë, i mendojnë shumë ministra dhe zyrtarë të kësaj partie. Frustrimi me mediat, shumica e të cilave kanë bashkëjetuar me regjimin e kaluar, duket qartë në mllefin që derdhin kundër tyre, në rrjetet sociale, idhtarët e Albin Kurtit. Ata nuk pajtohen dot me faktin që të njëjtët gazetarë që i kanë thurrur lavde pushteteve të mëparshme përdorin dy standarte duke kërkuar gjilpërën në kashtë për qeverinë aktuale. Atyre u duket e papranueshme që pjesa më e madhe e pushtetit të katërt ka veshur prazmoren e militantit dhe qëndron prej kohësh në pozicion luftimi.

Por, e gjithë kjo situatë e ka një shpjegim. Që kur erdhi në pushtet, Albin Kurti i dha fund praktikës së instaluar nga PDK-ja në Kosovë dhe të përhapur gjerësisht në rajonin tonë, për të joshur, blerë dhe bërë për vete sistemin mediatik. Ai nuk ndoqi inercinë e pronarëve të TV që fitonin tendera publikë në këmbim të mbështetjes me kronika televizive dhe vendosi të mbajë një distancë higjenike, kundrejt tyre.

Kjo vijë sjelljeje i dha menjëherë frytet e veta. Vetëm në klasifikimin e 2022-shit për lirinë e mediave, “Reporters sans Frontieres”, e ngritën Kosovën me 17 vende, ndërkohë që për shembull, Shqipëria e Ramës, vazhdoi rokullisjen me 20 shkallë më poshtë.

Por, nga ana tjetër, ky qëndrim politik ka dhe kostot e veta të pashmangshme. Të gjithë ata që e kanë bërë zakon të rëmbejnë pasuri publike në emër të fuqisë mediatike, shndërrohen automatikisht në armiq. Gazetarët dhe analistët të mësuar më zarfa poshtë banakut, nuk e pranojnë dot statusin e ri të atij që paguhet vetëm për punën që bën.

Eshtë i gjithë ky koalicion i natyrshëm, që sot mban ndezur valën kritike kundër qeverisë Kurti.

Po pyetja është, sado i pa drejtë dhe i pa moralshëm ti duket ai njerëzve të pushtetit, cila duhet të jetë sjellja e tyre: ajo që sugjeron Pacolli dhe e mendojnë shumë si ajo? Regullimi nga lart? Kapërcimi i kufijve fraxhil mes forcës së qeverisë për të ndërhyrë dhe nevojës së shtypit për të pasur liri, qoftë dhe në gabim?

Personalisht, ndonëse e mbështes aksionin e qeverisë së Vetëvendosjes dhe ende kam bindjen se ajo po ndihmon që Kosova të ketë një shoqëri shumë më të lirë, më të pa korruptuar dhe më demokratike se më parë, unë jam pro atyre gazetarëve, që qoftë edhe me qëllim dashakeq, nuk lënë rast pa i përmedur Albin Kurtit qëndrimet e dikurshme për dialogun me serbët, veriun, manastirin e Deçanit, Zajdenicën dhe marëveshjen për energjinë. Edhe në rast se me lirinë abuzohet, kjo sërisht është ku e ku më e shëndetshme sesa asfiksia dhe nënshtrimi që mbretërojnë në mediat e Beogradit apo Tiranës.

Prandaj, dilemës për rregullimin e medive nga pushteti politik i duhet dhënë fund. Ajo duhet denoncuar dhe dënuar me forcë pasi kjo është i vetmi qorrsokak që e çon qeverinë Kurti fare pranë karikaturës që i skicojnë kundërshtarët e saj.

Po atëhere çfarë duhet të ndodhë që raportimi mediatik të jetë korrekt, kritika e drejtë dhe denoncimi në interes të publikut?

Fatkeqsisht për disa, në një sistem demokratik qeveria ka shumë pak në dorë për këtë. Para saj ekziston vetëm një mundësi. As mos tentojë kontrollin më forcë të mediave, as mos përpiqet ti joshë ato. Vetëm duke qëndruar në distancë, pa u shazntazhuar, por dhe pa ndërtuar marëdhënie okulte, një shumicë politike mund të ndikojë në lirinë shtypit. Në një skenar të tillë, shumë media që janë krijuar me plan biznesi për të thithur diçka nga eurot e korrupsionit, dalëngadalë do të shuhen, ata gazetarë që e përdorin opinionin si mall do të bëhen të pavlerë, ato TV-të mëdha që janë projektuar si ndërmarje tenderuese do i kthehen luftës për audiencë për të mbijetuar në treg.

Vetëm kaq mund të bëhet nga lart, me forcën e shembullit dhe jo me shembullin e forcës.

Kjo është mënyra më e gjatë, por më e sigurtë, për të arritur tek një sistem i shëndetshëm dhe ajo kalon detyrimisht përmes durimit me nerva çeliku të atyre që skicojnë, nga mëngjesi në mbrëmje, portretin e “Albinit diktator”. /Andi Bushati/

 

(Replikë ndaj Andi Bushatit) Unë bashkëpunëtori i regjimit

Andi Bushati u nis për të na mbrojtur dhe përfundoi duke i përdorur për gazetarët e Kosovës argumentet që i ka përdorur burri i Vjosa Osmanit, shefi i stafit të Albin Kurtit dhe deputetja Fitore Pacolli. Kur kemi miq si Andi, armiqtë nuk na duhen. Kjo është përgjigjja ime për të.

Berat Buzhala

Disa fansa të Albin Kurtit nga sfera e mediave dhe shoqërisë civile, më i njohuri prej tyre Andi Bushati, qeverisjeve të kaluara të Kosovës, u referohen si “regjimi i kaluar”.

Sipas fjalorëve kredibilë ndërkombëtarë, fjala regjim nënkupton një lloj të qeverisjes autoritare, ku shefi i shtetit ose shefat e shtetit qeverisin me urdhër nga lart poshtë. Në të kaluarën, ne në Kosovë regjim, me të drejtë, e quanim regjimin e Milloshevicit, kurse ata që bashkëpunonin me atë regjim quheshin bashkëpunëtorë të regjimit. Disa prej tyre edhe janë vrarë.

Andi ndoshta nuk e ka në mendje këtë referencë, por duke e përdorur këtë mbiemër, ai synon t’i diskualifikojë të gjithë ata njerëz që në të kaluarën 20 e kusur vjeçare, në çfarëdo forme, kanë bashkëpunuar me qeveritë.

Që i bie, kemi bashkëpunuar me regjimin e Bajram Rexhepit dhe Ibrahim Rugovës prej vitit 2001-2004, me regjimin e Ramush Haradinajt dhe Ibrahim Rugovës në vitin 2005, pastaj me regjimin e Bajram Kosumit dhe Ibrahim Rugovës prej vitit 2005-2006, për të vazhduar më pas edhe me regjimin e Agim Çekut dhe Fatmir Sejdiut nga viti 2006 në vitin 2007.

Më pas me regjimin më të egër të të gjitha kohërave – atë të Hashim Thaçit dhe Fatmir Sejdiut, Hashim Thaçit dhe Behgjet Pacollit, Hashim Thaçit dhe Atifete Jahjagës, prej vitit 2008 deri në vitin 2014, për të vazhduar me regjimin e Isa Mustafës dhe Hashim Thaçit nga viti 2014 deri në vitin 2017, me regjimin e Ramush Haradinajt dhe Hashim Thaçit nga viti 2017 deri në vitin 2019, i cili u pasua shkurtimisht nga një fije shprese në fillim të vitit 2020, kur e patëm fatin që të na prekte dora e Kurtit a.s., që tradhtisht u rrëzua nga më i egri i të gjitha kohëve, Avdullah Hoti.

Nuk më mjafton vetëm një dënim më vdekje. Kam bashkëpunuar me të gjithë këta. Të gjithë i kam intervistuar. Me të gjithë kam pirë kafe. Shto këtu faktin që edhe kam qenë deputet i regjimit për 4 vjet. Kjo veç e rëndon gjyqin kundër meje, anipse disa prej këtyre burrave dhe grave që i përmenda kanë ndikuar direkt që Kosova të çlirohej nga Serbia dhe që vendi ynë të bëhej shtet i pavarur.

Për fatin tonë të mirë, Andi, në kolumnen e shkruar lidhur me zhvillimet në fushën e mediave në Kosovë, i bën thirrje Kurtit dhe LVV-së që megjithatë të mos i ndëshkojë mediat, pa marrë parasysh se shumë prej tyre, pra shumë prej nesh, bashkëpunuam me regjimin, dhe pa marrë parasysh se shumë prej tyre, shumë prej nesh, kemi marrë kontrata publike nga qeverisjet e kaluara.

Bushati në atë shkrim lë të kuptojë që sulmet që po i bëhen kësaj qeverisjeje, burimin e kanë te korrupsioni. Kjo qeveri po sulmohet, sipas Andit, sepse i ka mbyllur rrugët e korrupsionit. Por, sugjerimi i Andit është që qeveria t’i tolerojë këto kritika. Të mos i ushqejë me tendera dhe me financa publike, por as mos t’i sulmojë.

Me miq si Andi, ne nuk kemi nevojë për armiq. Niveli i argumentimit të tij ishte i ngjashëm me atë të faqes “me kryeministrin”, që drejtohet nga vëllai i Fitore Pacollit, përveçse Andi kërkon që të mos ndëshkohemi, anipse jemi bashkëpunëtorë të regjimit të kaluar.

Gabimet e Andit janë në disa rrafshe, që të mos themi në të gjitha rrafshet.

Për shembull, e ka krejtësisht gabim kur flet për qeverisjen e Kurtit si për një qeverisje të ardhur nga qielli, e nuk e ka idenë që kuadrot kryesore të saj janë ish-kuadro të qeverive të kaluara, të regjimit. Kurti e ka falur dhe amnistuar çdo hajn të ‘regjimit’ të kaluar, për aq kohë sa ai hajn i është nënshtruar Kurtit.

Gjysma e Kuvendit të Kosovës, nga radhët e shumicës, janë kuadro të ‘regjimit’. Dallimi i vetëm këtu është që në radhët e kësaj qeverie në fakt ka edhe kuadro të atij që realisht ishte regjim, atij të Jugosllavisë. Simpatia ndaj pinjollëve të atij sistemi është e pamohueshme.

Ligjërata e Bushatit që me Kurtin po përparon Kosova në fushën e mediave, po përparon në demokraci, është një non-sense i padëgjuar më parë. Kurti dhe njerëzit e tij për çdo dështim thonë që “nuk mundemi kaq shpejt ta përmirësojmë gjendjen sepse është shkatërruar që 20 vjet”, prandaj, si qenka e menduar që për 15 muaj ata ta përmirësojnë gjendjen në media?

Mos rastësisht kishte gazetarë të arrestuar dhe ai i liroi ata sapo erdhi në pushtet? Mos rastësisht kishte media të mbyllura dhe ai i hapi ato, sapo e mori pushtetin? Mos rastësisht kishte media që dëshironin të hapeshin, por nuk po lejoheshin derisa erdhi Kurti në pushtet?

Ku qenka bërë përparimi?

Për dallim nga Shqipëria, ku shumica e mediave të mëdha – jo Lapsi i Bushatit – janë të kapura nga qeveritë, jo veç nga kjo e Ramës, në Kosovë historikisht gjendja ka qenë shumë më ndryshe.

Rezistenca e mediave dhe shoqërisë civile ka qenë mbresëlënëse edhe kur pushtetin e kishte Thaçi, edhe kur e kishte Haradinaj, e edhe kur e kishte Mustafa. Beteja e mediave me Thaçin, kur ky i fundit kishte dalë me idenë për korrigjimin e kufijve, ka qenë unike për këtë pjesë të Evropës.

Në mediat e Kosovës është shkruar dhe është kritikuar secili oligark, me emër dhe mbiemër. Në mediat e Kosovës kurrë askush nuk ka pasur imunitet të plotë. Në zgjedhjet e fundit, as Bekim Jashari.

Si është e mundur që Kosova të sundohej nga një regjim që i toleron këto gjëra? Si është e mundur që regjimi për këto 20 e kusur vjet nuk e arrestoi asnjë gazetar? Është banale, është idiotike, të thuhet që me ardhjen e Kurtit po lulëzon liria e mediave.

Raportet të cilat i lexon Bushati nuk e tangojnë vetëm qeverinë Kurti, sepse ato raporte ende nuk kanë ardhur. Mirëpo klima që e ka krijuar qeveria Kurti ndaj mediave, është armiqësore.

Gjuha që përdoret kundër mediave, nga shefi i stafit të Kurtit, nga burri i Presidentes, nga këshilltarët e Kurtit, nga fallangat e Kurtit online, i takojnë logjikës së argumentimit të Bushatit, përveçse Bushati është më i mëshirshëm – kërkon që të mos dënohemi, por të falemi.

Andi Bushati duhet ta dijë që Albin Kurti e ka gjithë pushtetin e mundshëm që mund ta ëndërrojë një politikan. Ai mund të nxjerrë ligje dhe të zbatojë ligje pa e ndalur askush.

Të vetmen fushë që për momentin nuk e ka plotësisht nën kontroll, janë mediat, prandaj edhe kurrë nuk janë ndalur sulmet ndaj tyre. Ato janë etiketuar dhe sulmuar, me gjuhën e Bushatit, si media të Klanit Pronto. Janë sulmuar si media të Klanit Pronto edhe mediat dhe gazetarët që e kanë zbuluar aferën Pronto. Janë sulmuar si media të regjimit ose establishmentit prej njerëzve që i kanë takuar regjimit ose establishmentit.

Nuk kam njohuri që për kaq kohë sa Kurti është në pushtet dikush prej kolegëve të mi në Kosovë, këta që kanë media me ndikim, t’i këtë kërkuar favore kësaj qeverie. Nuk kam njohuri as që kjo qeveri të këtë provuar t’i joshë këto media me favore.

Mirëpo, kam njohuri që kjo qeveri ka disponim që ndryshimin ‘e madh’ të 14 shkurtit të vitit 2021 ta replikojë edhe te mediat, duke i zëvendësuar këto aktualet, përmes dehumanizimit të udhëheqësve të tyre, me disa të reja që janë më të buta dhe më miqësore.

Për fatin e keq të kësaj qeverie, ne do të vazhdojmë të rezistojmë, në mënyrë që ta përmbushim misionin tonë, për t’u treguar qytetarëve se kryeministri Kurti po gënjen kur po flet për zhvillim ekonomik, për t’u treguar qytetarëve se Besnik Bislimi po gënjen kur po flet për marrëveshjen për energji me Serbinë, që presidentja Osmani po gënjen kur po flet për punët e pafundme të kësaj qeverie në politikën e jashtme, që qeveria po gënjen kur po thotë që Komisioni i Venecias nuk kishte vërejtje në draft-ligjet e tyre.

Do t’i nxjerrim në dritë krejt qëndrimet e mëhershme të Donika Gërvallës, Hekuran Muratit, do t’i nxjerrim në dritë aferat korruptive në ministrinë e Liburn Aliut, do t’i nxjerrim në dritë qindra-mijëra euro të bartura në kesh nga një ambasador i Kosovës në Zagreb.

Gjithashtu, disa prej nesh, nuk do të rreshtohemi prapa Ramës për ta rrëzuar Albin Kurtin. Do ta kemi kënaqësinë dhe privilegjin që të jetojmë nën një mandat të plotë të tij./Berat Buzhala/

Replikon Andi Bushati:

Lexova nje replike te kolegut Berat BUZHALA, qe nuk merrej me thelbin e shkrimit tim, por me aspektin me anesor te tij, me sakte me nje togfjalesh te vetem: “mediat qe bashkepunuan me regjimin e shkuar”, te cilin ai reket ta kundershtoje?
Tani pyetja e thjeshte eshte: a ka pasur ne Prishtine portale te krijuara me fondet okulte te klanit pronto? A ka pasur analiste te paguar per te mbrojtur ekskluzivisht PDK? A ka pasur pronare TV qe kane mare favore nga qeverite vetem per faktin se kontrollonin nje pjese te rendesishme te audiences?
Dhe pastaj, a vazhdojne keto praktika me qeverine aktuale?

 

SHKARKO APP