Replika në Kuvend, Berisha: Taulant Balla çakall, Erion Veliajt i rroftë mamaja!
Ish- kryeministrit Sali Berisha sulmoi në seancën e sotme parlamentare Erion Veliaj, ministri i Mirëqenies Sociale i cili të mërkurën e javës tjetër, ka lajmëruar se do të japë dorëheqjen për të nisur garën për kandidat të bashkisë së Tiranës.
Po kështu në qendër të akuzave të tij ishte edhe deputeti socialist Taulant Balla, i cili sipas Berishës po përdoret nga Rama “pasi ai nuk është i zoti as për debat e as për dialog.” Për Erion Veliaj, Berisha tha se nga ministër, vëllai i të cilit fitoi tenderat e Ministrisë, hyri në treg për kryetar bashkie. – “Koha është e përgjegjësisë por ti përgjegjësi nuk ke. Ti je shndërruar në fatkeqësi kombëtare, të një qeverie e cila çdo gjë tjetër mund të bëjë por për të qeverisur nuk qeveris. Këta vjedhin gjithën ditën. Shihni tenderat e tyre, fiton i vëllai tenderat e Ministrit, tani hidhet në treg për kryetar Bashkie. Por kur ka ndodh ndonjëherë dasmë me dy raunde në kështjellë. Rroftë mamaja!”
Sakaq, Kandidati i PS-së për kreun e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, u shpreh pas akuzave për dasmën që organizoi në Kështjellën e Gjirokastrës se një pjesë të mirë të shpenzimeve i mbuloi e ëma e tij.
Berisha më tej u tha deputetëve të majtë se akujt nuk i bën përshtypje se u bë dasma me paratë publike në kështjellën e Gjirokastrës dhe më pas iu drejtua kryeministrit Edi Rama. -“Ti je një i mjerë, (Berisha kthehet nga Rama) ti këtu mbrapa je i mjerë, se përdor sharës profesionistë si puna e këtij, nga ana tjetër shkon në gjykatë. Ti as nuk je për debat, as për dialog, nuk je i zoti për asgjë. Ky fut çakenjtë se nuk mbrohet dot vetë,” – u shpreh Berisha.
Gjatë kohës që fliste Berisha, deputeti Taulant Balla replikonte me ish-kryeministrin Berisha.
Replika e Erion Veliaj, ndaj akuzave të Berishës ishte: “Ti e ke të vështirë të flasësh për martesa. Të paktën ne s’martohemi me kushërinj kjo është gjë e mirë”. Duket se i është referuar martesës së kaluar të djalit të ish-kryeministrit.