Replika të ashpra në PS.Blushi: Rama citon Enverin dhe imiton Saliun

Zgjedhjet e sotme për delegatët e PS-së në kongresin e 19 marsit kanë sjellë përplasje të ashpra verbale mes kreut të PS, Edi Rama mbështetësve të tij dhe deputetit Ben Blushi.

Rivali i Edi Ramës për kreun e PS, Ben Blushi, ka kritikuar procesin e zgjedhjeve në Qarkun e Elbasanit. Blushi tha për mediat se nuk ka pasur njoftim për zgjedhje. Sipas tij disa drejtues të PS nuk kanë marrë njoftim dhe nuk janë marrë me organizimin e tyre.

Blushi ka komentuar edhe deklaratën e kreut të PS-së, Edi Rama, i cili nga Fieri tha se “qentë lehin, karvani ecën përpara”. Blushi tha se “këtë shprehje e kam dëgjuar nga Enver Hoxha. Nëse Rama citon Enver Hoxhën dhe imiton Sali Berishën, punë e tij”.

Deputeti i Partisë Socialiste ka kritikuar procesin e zgjedhjeve për delegatë në Elbasan. Sipas tij disa kandidatë për delegatë, nuk ishin të propozuar nga organizatat e PS. “Pra procesi nuk ka ndodhur normalisht sipas statutit. Pra ka një miks problemesh në një proces i cili nuk është procesi që kemi bërë në të shkuarën”,- tha Blushi.

Lidhur me përplasjen me deputetin e Librazhdit Taulant Balla, Blushi tha se nuk ka pas gjë personale me të. Sipas Blushit Balla pretendon që procesi është i rregullt.

Prononcim i Blushit për “Ora News”

Ben Blushi: Nuk ka votim alternativë. Delegatët janë njerëz të emëruar. Edi Rama me deputetët e vet, për fat të keq, me disa prej tyre po emëron delegatët e këtij kongresi. Ky është thelbi. Delegatët kongresit të 19 Marsit janë duke u emëruar dhe nuk janë duke u zgjedhur.    

Po ju marr një rast, rasti tipik që do e bënte të skuqej çdo njeri në PS nga Rama i pari. Nga Elbasani delegate në Kongres është një ish-deputet i cili në 2007 ka votuar për Sali Berishën president. E mbani mend Gjashtë deputetë të PS shkuan e votuan për presidencën Saliun. Ky është një nga delegatët e 19 Marsit. Kjo është tërësisht imorale.

Ne e përjashtuam në 2007 Edi Rama e riktheu për favore që nuk ia njohim dhe sot e ka bërë kreytar të këshillit të qarkut duke i  dhënë luksin të jetë delegate direkt në Kongres mandje të mos votohet nga anëtarësia. Kjo është e papranueshme.  Bukuroshët e Saliut po vijnë delegate për të votuar Edi Ramën në kongres. Kjo është çështja.

Ora News: Zoti Rama ka bërë një status ku përvec mirënjohjes shkruan:Qentë le të lehin karvani të shkojë përpara. Keni koment?

Ben Blushi: Këtë shprehje e kam dëgjuar nga Enver Hoxha. Nëse Edi Rama  vazhdon citon Enver Hoxhën dhe vepron si Sali Berisha i bie të jetë në fund të karvanit.

SHKARKO APP