Republikanët ofertë PD-së, Agron Duka opsion i padiskutueshëm në Durrës
Partia Republikane mund të tërhiqet ndoshta nga çdo pretendim tjetër në zgjedhjet lokale, nëse arrin një marrëveshje për të shkuar në zgjedhje me Partinë Demokratike, por nuk heq dorë vetëm nga kandidimi i Agron Dukës në Durrës. Nënkryetari i Partisë Republikane, Arjan Madhi ka qenë i pranishëm këtë të premte në selinë e Partisë Demokratike, në kuadër të negociatave për të dalë së bashku në zgjedhjet lokale. Në përfundim të takimit, Madhi ka bërë me dije se ka prezantuar programin republikan të bashkëpunimit, edhe pse nuk ka dhënë asnjë detaj për të. – “Partia Republikane prezantoi sot projektin për bashkëpunimin me PD dhe partnerët e tjerë. Deri në raundin tjetër të takimit, PD do të shqyrtojë projektin tonë”, – ka deklaruar Madhi. I shoqëruar këtë herë në këtë takim nga Agron Duka, numri dy i republikanëve ka bërë me dije se, PR nuk tërhiqet sa i takon kandidaturës së tij. – “Agron Duka mbetet kandidati ynë për Bashkinë e Durrësit. Opsionet e tjera do t'i shohim më vonë”, ka vijuar Madhi. Ai ka shtuar se për momentin republikanët nuk kanë kërkuar bashki, por kanë prezantuar 13 emra për kandidatë.