Revolta e rinisë, Albi Jahelezi: Protesta do të kërkojë stacione të tjera shkarkimi
Nga: Redjon Shtylla
Vrasja e të riut Klodian Rasha nga një efektiv i Policisë së Shtetit më 8 dhjetor, shkaktoi një valë protestash të fuqishme në Tiranë, por me efekt zinxhir marshimesh edhe në të gjithë qytetet e Shqipërisë, si edhe në Europë deri në SHBA nga shqiptarët që kërkonin drejtësi për Klodianin.
Revolta e të rinjëve që çoi në shkarkimin e Sandër Lleshajt si ministër i Brendshëm, ende nuk është shuar, madje pritet që të shpërthejë në një moment tjetër. Por çfarë prodhuan këto protesta? Si do të vijojë? Këto protesta nuk kanë pasur një udhëheqës, janë protesta të të rinjëve.
Duke dashur edhe të kuptojmë nga ana politike, në një prononcim për “Koha Jonë”, kreu i forumit rinor i Partisë Republikane, Albi Jahelezi, “dhunën” e të rinjve në këto protetsa e quan si demonstrim të forcës, frustrimit dhe të zemëratës popullore.
Për të, protestat do të kërkojë stacione të tjera shkarkimi, raste të reja për të bërë të ditur zemërimin, “sepse siç e thashë në krye protestat e ditëve të shkuara ishin për Klodianin, por jo vetëm për të. Ato ishin për të gjitha padrejtësitë e ushtruara nga pushteti i këtyre 8 viteve”,-thotë ai për ”Koha Jonë”.
Prononcimi i plotë
Vrasja e të riut Klodian Rasha nxiti një valë protestash dhe një revoltë që nuk është shuar. Çfarë konkluzioni kanë ato protesta, sepse janë përfolur shumë përsa i takon dhunës, dhe jo vetëm nga ana e policisë siç është parë, por edhe nga ana e vetë protestuesve. Si e keni parë këtë raport, policia dhe protestuesit nga të dyja krahët? Dhe nga ana tjetër, kjo revoltë që është ndezur, për ju si do të vijojë?
Konkluzionet besoj kanë qenë të qarta, shqiptarët dinë të ngrihen kur cënimet e të drejtave bëhen të patolerueshme. Nuk mendoj se ka pasur qasje tjetër përveç asaj që drejtesia të vihet në vend, sepse siç e dimë, siç e kemi parë, vrasja e 8 dhjetorit po mundohet të manipulohet në mënyra të ndryshme.
Përsa i përket asaj që etiketohet si dhunë, unë them se kemi të bëjmë me demonstrim të forcës, frustrimit dhe zemëratës popullore. Nuk e ndaj dot, as unë dhe askush besoj, se cila është masa e duhur e forcës dhe ku kalon ajo në dhunë. Ajo që dimë me siguri është se e drejta e jetës nuk u respektua nga një efektiv i policisë dhe e drejta e protestës u përdor nga të rinjtë.
Shtoji kësaj faktin se liria dhe të drejtat janë cënuar nga shteti vazhdimisht që nga Astiri, te Teatri, protesta e Rrugës së Kombit, naftëtarët e me radhë. Në çdo vend të botës kur e drejta ose liria janë prekur nga shteti, populli është përgjigjur me protesta, edhe të dhunshme.
Sa i takon vijimit unë mendoj se protesta do të kërkojë stacione të tjera shkarkimi, raste të reja për të bërë të ditur zemërimin, sepse siç e thashë në krye protestat e ditëve të shkuara ishin për Klodianin, por jo vetëm për të. Ato ishin për të gjitha padrejtësitë e ushtruara nga pushteti i këtyre 8 viteve.