Revoltohen strukutrat e PD në Shkodër, “sherr” me Imamin
Pse po e vononi kandidatin e Partisë Demokratike për Bashkinë e Shkodrës, apo keni hapur tender?
Kështu i janë drejtuar anëtarët e PD-së koordinatorit Arben Imami në lidhje me vonesat e shfaqura në përzgjedhjen e emrit që do të kandidojë përballë Keti Bazhdarit.
Imami është përballur me reagimet e ashpra të anëtarëve të grupseksionit nr 3 të qytetit të Shkodrës.
“Po e nxirrni jashtë loje Shkodrën, kush jeni ju? Çfarë jeni ju? A i keni hypur më tanksit se ti je i revolucioneve Arben, i njeh mirë revolucionet. Po e injoroni Shkodrën apo keni hapur tender për kryetarin e ri të Bashkisë?”.
Këto ishin pyetjet që iu drejtuan deputetit Arben Imami, i deleguari i Kryesisë së PD-së për Shkodrën, por edhe batutat që iu bënë nga baza e PD-së.
Imami ka tentuar të qetësojë situatën, duke theksuar se shumë shpejt do të përcaktohet edhe kandidati, ndërsa ka sqaruar se PD po zhvillon sondazhet e fundit mbi emrat e propozuar.
Por të pranishmit i kanë kërkuar Imamit se cila është arsyeja që po vonohet kaq shumë shpallja e kandidatit zyrtar nga e PD-së për Bashkinë e re të Shkodrës.
Të deleguarit të kryesisë i është kërkuar që sa më shpejt të jetë e mundur të njihen me kandidatin e PD-së në mënyrë që të nisa puna për fushatën elektorale sepse ditët kalojnë dhe kjo nuk është gjë e mirë. /