Rezistenca ndaj fashizmit/ Presidenti Meta: Nëse jemi neglizhentë në paqe, një ditë do të zgjohemi në luftë
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka ndarë në facebook një video ku dëgjohet Faik Konica në një intervistë për radion amerikane NBC më 8 prill 1939, një ditë pas pushtimit italian. Ndaj dhe Meta thotë se liria dhe paqja nuk janë të përjetshme dhe as dhurata të dhëna njëherë e përgjithmonë. ”Liria dhe paqja mbeten gjithmonë të brishta dhe të kërcënuara, prandaj për to duhet të punojmë çdo sekondë. Nëse jemi neglizhentë dhe jo vigjilentë në paqe, një ditë do të zgjohemi në luftë”,-shkruan kreu i shtetit në facebook.
Postimi i plotë
Në intervistën e dhënë radios amerikane NBC më 8 prill 1939, një ditë pas pushtimit, ministri fuqiplotë i Shqipërisë në Uashington, Faik Konica do të shprehte hapur zhgënjimin e tij me agresionin e pabesë të Italisë fashiste ndaj vendit tonë, që dikur e cilësonte mik dhe papritur e shpalli armik: “Ato ishin marrëdhëniet më miqësore, që mund të ekzistonin: politike, ekonomike, kulturore. Për 20 vjet me radhë qeveria italiane, i thoshte popullit të vet, se Shqipëria ishte një mike e mirë. Papritur, ajo deklaroi se ne ishim një armik”.
Nuk mjafton vetëm të flitet mbi lirinë dhe paqen. Siç tregojnë edhe zhvillimet e fundit, liria dhe paqja nuk janë të përjetshme dhe as dhurata të dhëna njëherë e përgjithmonë.
Liria dhe paqja mbeten gjithmonë të brishta dhe të kërcënuara, prandaj për to duhet të punojmë çdo sekondë. Nëse jemi neglizhentë dhe jo vigjilentë në paqe, një ditë do të zgjohemi në luftë.
Shqipëria e ka fituar lirinë, paqen dhe sovranitetin me gjak, mund e sakrifica dhe po kaq vështirësi dhe angazhim kërkohen për t’i ruajtur ato çdo ditë. Lavdi të përjetshme Mujo Ulqinakut dhe të gjithë patriotëve, që qëndruan heroikisht përballë pushtuesve më 7 prill 1939!