Rezoluta e PS, Meta për Ramën: Në 11 vite është komandati i korrupsionit, do e shtyjmë drejt gre*inës
Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta e sheh rezolutën antikorrupsion të miratuar nga socialistët me 76 vota në Kuvend si rrugë shpëtimi për Edi Ramën, të cilin e akuzoi në një konferencë për mediat si përgjegjësin e korrupsionit galopant që ka mbërthyer vendin në 11 vite qeverisje të PS.
“Jemi shumë të qartë se i vetmi përgjegjës në Shqipëri i certifikuar botërisht për gjithë këtë korrupsion galopant, kryer në 11 vite është ai që komandon timonin, të gjitha tepsitë që është Edi Rama. Shikoni të gjithë treguesit që kur ka ardhur ai në pushtet sesi janë. Jemi vendi i parë në Europë pas Rusisë, vendi i dytë në botë për ryshfet pas Zambias, për shkak të korrupsionit të tij. Nuk ka patur ndonjë reagim të ndonjë institucioni ndërkombëtar sesi janë shpenzuar fondet e donatorëve për tërmetin dhe pandeminë. Vetëm në rastin e Shqipërisë është kërkuar transparencë pasi ka pasur bindje të qartë për hajdutëri të paparë edhe në kohë pandemie dhe fatkeqësie”,-tha Meta.
Nga ana tjetër, Meta shprehu rezerva për mënyrën si aleatët në opozitë po organizohen për të rrëzuar Ramën. Sipas tij, ata duhet të ndjekin shembullin e Partisë së Lirisë për të bërë betejën sa më efikase.
“Partia e Lirisë është në krye të aksionit opozitar çdo ditë. E ka nisur nga vetja duke përmirësuar organizimin e saj dhe është e rëndësishme ta bëjë gjithë opozita përballë kësaj makineri mafioze. Kjo kërkon organizim më të mirë dhe efikas sesa deri tani”.