Riatdhestimet/Rama: Do paguani 21 euro në ditë për akomodim 14 ditor në hotel
Të gjithë ata shtetas shqiptarë që do të riatdhesohen nga Roma, nisur nga kjo e shtunë do të duhet të paguajnë vetë biletën e avionit që shkon në 100 euro, si dhe 21 euro në ditë për karantinën 14 ditore në hotel. Por kryeministri Edi Rama, përmes një postimi në facebook, thotë se nga këto 21 euro, qeveria do të mbulojë 14 euro për fjetjen e shërbimin me standartet Anticovid-19, ndërsa vetëm 7€ do të paguhen nga personi për ushqimin.
Për të gjithë ata shtetas shqiptarë që kanë mbetur jashtë vendit, si pasojë e masave të marra nga pandemia e Covid-19, kanë një shans për tu rikthyer në atdhe. Sot në orën 10:00 në faqen online të “Air Albania” nisin aplikimet dhe rezervimet për të gjithë shqiptarët që kërkojnë të riatdhesohet nga Roma drejt Tiranës.
Sistemi elektronik për rezervimet online për hotelet dhe biletën do të jetë gati në orën 10:00. Kushdo që kërkon të rikthehet duhet që fillimisht që ai të zgjedh hotelin ku do të qëndrojë i karantinuar për 14 ditë, pagesë të cilën do e kryejë vetë.
Në rezervim përfshihen 3 vajtjet si dhe nata në hotel për 14 ditë. Pasi është bërë rezervimi i hotelit dhe pranimi i kushteve, aplikuesi do të marrë një kod personal dhe përmes këtij kodi do të hyjë sërish në faqen e “Air Albania” ku do të bëjë dhe aplikimin dhe për biletën e ardhjes Romë-Tiranë. Vetëm pasi është bërë pagesa e hotelit për karantinim, qytetari mund të presë biletën. Për të gjithë personat që do të aplikojnë sot dhe riatdhesimi i tyre do të bëhet ditën e shtunë.